Rama: Ne jemi rruga e zhvillimit

07/04/2011 20:20

Kryetari i PS, Edi Rama në fjalën e tij në mitingun që hapi zyrtarisht fushatën e opozitës për zgjedhjet e 8 majit, ka ritheksuar se Aleanca për të Ardhmen është zgjidhja e vetme për qytetarët shqiptarë.

“Rruga e vetme jemi ne, Aleanca për të Ardhmen, Partia Socialiste e Shqipërisë. Ne jemi ndryshe, krejt ndryshe, prandaj modeli jonë funksionon edhe kur na godasin e na pengojnë”, ka deklaruar Rama.

Rama është shprehur se PS ka një vizion të ri, ndryshe nga PD, që synon ta shtrijë jo vetëm në Tiranë por në të gjithë territorin e vendit.

“Politika duhet të bëhet forca e promovimit të ideve dhe projekteve, që ne të jemi frymëzimi i bashkëjetesës qytetare. E vetmja rrugë për ta bërë realitet për Shqipërinë këtë vizion jemi ne, e vetmja rrugë”, ka pohuar Rama.

“E vetmja rrugë që askush të mos humbasë vendin e punës, asnjë mësues, asnjë polic të mos trembet për bukën e gojës së fëmijëve të tij, asnjë sipërmarrës të mos kërcënohet nga gjobat mafioze për shkak të bindjes së tij”, ka vijuar ai.

Rama ka theksuar se e majta sjell një alternativë ndryshe pasi ofron zgjidhje për të gjitha kategoritë e qytetarëve, kryesisht atyre në nevojë.

“Ne jemi ndryshe, sepse tek ne, bashkia  e Tiranës, pensionistët paguajnë 10 herë më pak kontribute se një familje e zakonshme. Ndërsa veteranëve të luftës dhe invalidëve nuk u merret asnjë lek taksë, vetëm ju kërkojmë ndjesë që bëjmë sa mundemi për atë që ata meritojnë”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, Aleanca për të Ardhmen është e vetmja zgjidhje për vendin e zhytur në krizë, si pasojë e vjedhjes së votave të 28 qershorit. Rama ka theksuar se PS dhe aleatët do të vazhdojnë të luftojnë për transparencën e zgjedhjeve.

“Sot ne jemi e vetmja rrugë për ata që s’janë pjesë e oborrit që vjedh Shqipërinë. Shqiptarët e dinë mirë këtë, prandaj na votuan më 28 qershor dhe do të na votojnë edhe më shumë këtë 8 maj. Dy vjet më parë votat u vodhën, e kërkuam dhe do ta kërkojmë deri në fund hesapin e atyre zgjedhjeve sepse e kemi nisur që ditën e parë atë që shqiptarët po provojnë në kurriz, një qeveri që del nga votat e vjedhura dhe që ka dalë jo vetëm nga kontrolli i ligjit e i qytetarëve, por dhe nga cdo lloj kontrolli. Vjedhja e votës është një krim i kryer nga pushtetarët dhe i vuajtur nga qytetarët”, ka pohuar Rama, i cili ka nënvizuar se si pasojë e kësaj vjedhjeje kanë ardhur edhe viktimat e 21 janarit.

“Votat nuk vidhen, nuk ka ministër që hap zjarr mbi qytetarët e vetë, që nuk jep dorëheqjen dhe 3 muaj pasi ka vrarë kandidon për kryetar bashkie në kryeqytet. Nuk ka parti që pasi vret mbulon qytetin me flamujt e saj. Nuk ka as kryeministër që pasuron familjen e tij kështu sic po ndodh në Shqipëri me votën e vjedhur”, është shprehur Rama.

Kreu i PS ka deklaruar se përmes vjedhjes së votave, qeveria aktuale merr vendime “barbare” për të pasuruar xhepat e saj në kurriz të shqiptarëve.

“Në Vlorë kanë filluar të vijnë kamionët me plehra, për të pasuruar Saliun dhe oborrin e tij, duke dëmtuar qytetarin. Kjo qeveri miraton akte barbarie dhe kusarie të pashoqe në historinë e këtij vendi. Kjo e plehrave është një barbari dhe pasojë e kuptueshme e vjedhjes së votave”, ka deklaruar Rama.

“E keqja që i bën krime duke marrë jetë njerëzish si në Gërdec, duke i marrë jetën qytetarit si Fatmir Xhindit pranë shtëpisë së tij, në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe më pas duke vazhduar për të vjedhur. E keqja e ka cuar në 1 milion numrin e të papunëve të këtij vendi, kjo i ndodh popullit kur i vidhet vota. Ata që jetojnë sot më keq se dje nuk duhet të dyshojnë për asnjë sekond se e keqja vjen nga moskokëcarja përbuzëse e qeverisë”, ka vijuar ai.

Duke i faturuar qeverisë një sërë përgjegjësish të tjera, Rama ka shprehur bindjen e tij për fitoren në zgjedhjet e 8 majit dhe më pas fitoren në zgjedhjet e reja të përgjithshme.

Top Channel