Berisha: Do ndryshojmë Pogradecin

09/04/2011 20:10

Kryeministri Sali Berisha prezantoi kandidatin e Aleancës për Qytetarin për bashkinë e Pogradecit, Luan Topciu, i cili, së bashku me kryeministrin premtoi se do të ndryshojë Pogradecin, për ta bërë atë një qytet të vërtetë europian e turistik.

“Nuk mund të lejojmë betonizimin e qytetit të Pogradecit me shpejtësi të frikshme, nuk mund të lejojmë që një pjesë e tij të mbetet e braktisur në 4 vitet e ardhshme. Do hapim 3 mijë vende pune dhe do t’i realizojmë të gjitha projektet. Ne kemi programin e shekullit të 21-të”, ka deklaruar Topciu.

Në këtë fushatë elektorale kryeministri Berisha ka bërë të qartë se nuk do të merret me kundërshtarin e tij, Edi Rama, pasi e konsideron një politikan të dështuar, që sipas tij ngjan me Ramiz Alinë, kur kundërshtonte 20 vjet më parë sistemin demokratik.

“Do t’i them shokut Rama, kujdes së fatin e Ramizit do të pësosh dhe se në pension të parakohshëm do të dalësh shumë shpejt. Rruga më e mirë është rruga e rritjes së rrogave, rruga e rritjes së pensioneve, e shkollave, ujësjellsave, kanalizimeve, rruga pa viza. Më 8 maj të votojmë për Pogradecin evropian”, ka deklaruar Berisha.

Top Channel