Siri, protestuesit pushtojnë qytetin

19/04/2011 08:35

Mijëra protestues anti-qeveritare kanë pushtuar qendrën e qytetit të tretë për nga madhësia në Siri, Homs, duke thirrur se nuk do të tërhiqen derisa të rrëzohet lidershipi i vendit.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë deklaruar për mediat e huaja se turmat e njerëzve janë të mëdha.

Ndërsa një aktivist për të drejtat e njeriut ka bërë të ditur se forcat e sigurisë, besnike të presidentit Bashar al Assad, kanë qëlluar ndaj protestuesve.

Ndërkohë, Ministria siriane e Brendshme ka deklaruar se protestat janë vetëm një rebelim i armatosur, i nxitur nga ekstremistë islamikë.

Presidenti Assad njoftoi të shtunën se do t’i jepte fund ligjit të jashtëzakonshëm, në fuqi prej pothuajse gjysmëshekulli, një kërkesë kyce e protestuesve.

Por vala e paprecedentë e protestave që ka përfshirë vendin nuk jep shenja për tërheqje, kanë deklaruar korrespondentët e agjencive të huaja.

Top Channel