Kombëtarja shqiptare në Prishtinë

21/04/2011 23:30

Kombëtarja shqiptare ndeshjen kundër Francës në shtator mund ta zhvillojë në stadiumin e Prishtinës në Kosovë.

Në Tirane pritet të shëmbet stadiumi “Qemal Stafa” për të ndërtuar aty një të ri, ndaj  Federata Shqiptare e Futbollit i kërkoi federatës kosovare që ndeshja të zhvillohet atje.

Nëse qeveria e Kosovës i përgjigjet kërkesës së kombëtares shqiptare për restaurimin e stadiumit të Prishtinës, për herë të parë do të zhvillohet një ndeshje ndërkombëtare në këtë stadium, pikërisht ndërmjet Shqipërisë dhe Francës.

Kërkesa e FSHF-së ka mbërritur në zyrat e FFK-së ku kërkohet që Kosova t’u mundësojë kuqezinjve të luajnë në kryeqytetin kosovar për shkak të rindërtimit të stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë.

Sipas zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës nuk ka asnjë pengesë ligjore që kjo ndeshje të zhvillohet në Prishtinë.

“Kemi biseduar me kryetarine federatës para një muaji dhe sa i përket bazës ligjore mendoj se nuk do të kishte asnjë pengesë nga FIFA edhe pse nuk jemi të pranuar, që kombëtarja shqiptare të zhvillojë ndeshjet në Prishtinë”, thotë Drejtori i Klubit Prishtina, Remzi Ejupi.

Drejtuesit e Klubit të Prishtinës kërkuan ndihmë financiare nga qeveria e Kosovës për mbulimin e shpenzimeve të nevojshme për restaurimin e stadiumit të Prishtinës duke sqaruar se në këtë pikë nuk ka obligime financiare nga kombëtarja shqiptare pasi stadiumi do t’i mbesë Prishtinës e Kosovës.

Top Channel