Subashi: Numërimi, po pengohen mediat

09/05/2011 18:15

Komisionerja e PS në KQZ, Dëshira Subashi ka denoncuar pengesën që sipas saj u është bërë mediave për të ndjekur procesin e numërimit të votave.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Subashi ka deklaruar se Kodi Zgjedhor i lejon mediave të ndjekin një proces të tillë.

“Sqaroj se në disa KZAZ mediat janë penguar për të ndjekur numërimin. Kodi Zgjedhor ka parashikuar që mediat nuk mund të pengohen në numërimin e votave, ka parashikuar që mediat të jenë në vendet e numërimit. Gjithashtu, Kodi i ka dhënë të drejtë medias që të jetë edhe si vëzhgues në një status tjetër, që ka të bëjë me akreditimin nga institucionet zgjedhore”, ka pohuar Subashi.

Sipas saj, kjo pengesë është ngritur qëllimisht për të penguar transparencën e rezultateve zgjedhore.

“Kjo ka të bëjë me transparencën për rezultatet zgjedhore, kjo përbën një shkelje të rëndë. Kërkoj nga KZAZ-të që të mos bëhen pengesë për transparencën e procesit”, ka nënvizuar Subashi.

Përsa i përket Tiranës, ajo ka nënvizuar se procesi i numërimit po ecën me ngadalë dhe se në disa qendra është bllokuar. Një tjetër problem, ka theksuar Subashi, janë edhe mediat që pasqyrojnë ndryshe rezultatet për kryeqytetin.

“Procesi për Tiranën është relativisht në nivele të ulëta dhe ajo që shoh si problematike është fakti se media të ndryshme e transmetojnë rezultatin në mënyra të ndryshme”, është shprehur Subashi, e cila ka theksuar se nga shumë qendra rezultatet po vijnë me ngadalë.

“KQZ pa diskutim që ka një tabelë nga dalin të dhënat nga qendrat e numërimit, por ndryshe nga viti 2009, në KQZ nuk vjen një rezultat progresiv”, ka shtuar Subashi.

Top Channel