Prishtinë, një rrugë me emrin e Tanit

23/05/2011 15:35

Në 3-vjetorin e ndarjes nga jeta të themeluesit dhe ideuesit të Top Media, Dritan Hoxha, një rrugë në Prishtinë ka marrë emrin e tij.

Komuna e Prishtinës ka vlerësuar kontributin e Dritan Hoxhës për krijimin e një mediaje gjithëshqiptare dhe bashkimin shpirtëror të Kosovës me Shqipërinë.

“Është një disponim i përgjithshëm që një rruge t’i vihet emri i Dritan Hoxhës. Konsiderohet që ai e meriton të jetë prezent këtu në Prishtinë për meritën që integroi shqiptarët në një media që s’e kishin parë sesi funksionon, jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë, në një cilësi kualitative në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e vise të tjera”, ka deklaruar kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

“Jemi mirënjohës për atë që ka bërë dhe këtë do ta shprehim përmes vënies së emrit të Dritanit një rruge në qytet. Kemi pasur disa orientime. Do të përcaktohemi që ajo të jetë diku në qendër të qytetit, në mënyrë që të jetë edhe afër mediave, sepse ai ka qenë vërtet një njeri i cili tërë jetën e tij ia ka kushtuar zhvillimit të mediave, prandaj mendojmë se edhe rruga e cila do të bartë emrin e Dritan Hoxhës të jetë në qendër, afër mediave, në mënyrë që të korrespondojë me veprën e tij”, është shprehur Mustafa.

Kryetari i komunës së Prishtinës ka shprehur bindjen e tij se Top Channel ka pasur një ndikim të padiskutueshëm në tregun mediatik në Kosovë.

“Shtrirja e mediave të Shqipërisë është shumë e rëndësishme. Po i afron kulturat tona, ekonomitë. Kemi informacione të përditshme, minutë pas minute. Intensiteti i informacionit më parë ka qenë shumë i ngadaltë dhe shumë më i ulët. Është bërë shumë më intensiv me prezencën e televizioneve shqiptare, vecmas të TCH në Kosovë. Dhe uroj që kjo të zhvillohet edhe më tutje, që të këmbejmë përvojat dhe dijet. Është një konkurrencë e madhe dhe këtë konkurrence po e ndihmoni mjaft ju me prezencën tuaj”, ka nënvizuar Mustafa.

Top Channel