KQZ: Basha fiton në Tiranë

23/05/2011 23:25

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas një seance maratonë shpalli fitues në Tiranë, Lulzim Bashën. Mbledhja filloi në mesditë dhe përfundoi rreth mesnatës së të hënës. (UPDATE)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi fillimisht tabelat e korrigjuara të njësive bashkiake pas rivlerësimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara. Në fund, diskutoi për tabelën përmbledhëse të Bashkisë Tiranë.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste kujtoi se kërkesë-padia që Partia Socialiste ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor për të njëjtën cështje, e pengon KQZ-në ta marrë cështjen në shqyrtim.

Ashtu sic pritej, tabela përmbledhëse e Tiranës kishte një pasaktësi: numri i fletëve të votimit ishte më i madh se numri i zgjedhësve. Për përfaqësuesit e Partisë Socialiste kjo është provë e manipulimit, kurse për shumicën në KQZ thjesht një mospërkim shifrash për shkak se gjatë rivlerësimit të votave nuk e hapën të katër kutitë e cdo qendre votimi.

Diskutime të gjalla ka pasur edhe për cilësinë e vendimmarrjes. Pakica në KQZ ka vlerësuar se vendimmarrja duhet të jetë me shumicë të cilësuar prej 5 votash. Kurse shumica ka vlerësuar se duke vepruar në rastin e Tiranës si një KZAZ, KQZ mund ta merrte vendimin me shumicë të thjeshtë prej 4 votash.

Më herët gjatë paradites fitorja e Lulzim Bashës ishte paralajmëruar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike nga vetë kryeministri Berisha.

Po gjatë paradites Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi në faqen e internetit rezultatet paraprake jozyrtare të datës 14 maj, që nxirrnin fitues, pas numërimit të kutisë së fundit Edi Ramën me 10 vota para kandidatit Lulzim Basha.

Këto rezultate ishin bllokuar nga ekranet apo faqja e KQZ që më datë 14 maj, pas numërimit të kutisë së fundit.

Top Channel