Berisha: Mlladic, figura më e zezë e Evropës

26/05/2011 19:30

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur arrestimin e gjeneralit Ratko Mlladic, të cilin e ka cilësuar si një prej figurave më gjakësore e më famëzeza në historinë e Ballkanit dhe të Europës.

Përmes një deklarate për shtyp, Berisha është shprehur se, Mlladic është përgjegjësi kryesor dhe direkt për genocidin dhe barbarinë serbe në Bosnje në tërësi dhe në Srebrenicë në vecanti, ku organizoi shfarosjen në pak ditë të 8 mije fëmijëve, burrave dhe grave të pafajshme.

“Arrestimi, ndonse i vonuar, i autorit të genocidit dhe masakrave më të mëdha që Europa ka njohur pas Luftës së Dytë Botërore, është triumf i drejtësisë ndërkombëtare dhe ngushëllim i madh për shpirtrat e mijëra viktimave të pafajshme dhe familjeve të tyre”, ka deklaruar Berisha.

Mlladic u arrestua paraditen e sotme në fshatin Lazarevo, rreth 80 kilometra në veri-lindje të Beogradit, pas 16 vjetësh arrati. Ai akuzohet nga gjykata e Hagës për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid.

Top Channel