Mehmeti: Elitat shqiptare janë zhdukur

30/05/2011 21:45

Analisti i njohur shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti është shprehur se trevat shqiptare sot nuk janë më si ato në kohën e Faik Konicës dhe Nolit.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Mehmeti ka deklaruar se ecuria dhe zhvillimi i një kombi vjen me zhvillimin e elitave.

“Populli është ai që është, por një popull matet se sa është mencuria e tij, që varet nga elitat. Disa nga elitat kanë ecur përpara, ndërsa ato të urtësisë u zhdukën. Shoqëritë shqiptare nuk rriten në mënyrë të natyrshme, por nga feudalizmi kaloi në një komunizëm”, ka pohuar Mehmeti.

Sipas tij, një tjetër defekt i shqiptarëve është marrëdhënia e munguar me institucionet. “Populli ynë nuk është ende popull institucional. Ai nuk ka pasur mundësi të ushtrojë relacionin e tij ndaj institucionit”, ka nënvizuar Mehmeti.

Ai ka shtuar më tej se me kalimin e viteve, nën ndikimin e ndërkombëtarëve, populli shqiptar po humb identitetin.

“Populli shqiptar është i vetmuar, prandaj kemi shqiptarë pro-greke, pro-serbë, pro-evropianë e pro-amerikanë. Ne duam të dimë se cfarë thonë të huajt për ne dhe harrojmë atë që mendon populli”, ka shtuar Mehmeti.

Top Channel