Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PS

03/06/2011 20:50

Ishte ndoshta një nga kërkesat më të rëndësishme ankimore me të cilat
Kolegji Zgjedhor është përballur vitet e fundit. Përballë interesit të
madh të mediave, përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Partisë
Demokratike, deputetë të komisionit të ligjeve dhe juristë të KQZ-së u
mblodhën për të goditur apo për të mbrojtur vendimin e KQZ-së për
vlerësimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. (UPDATE)

Historia e këtyre fletëve filloi pas mbylljes së procesit të numërimit të votave për kryetar të Bashkisë së Tiranës, kur u pa se rezultati mes dy kandidatëve ishte shumë i ngushtë.

Ndërkohë që numërimi për kutitë e kryetarit dhe Këshillit të Bashkisë së Tiranës kishte mbaruar, në kutitë e kryetarëve dhe këshillave të minibashkive u gjetën vota të hedhura gabim për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

KQZ tha se u investua për vlerësimin e këtyre fletëve pas kërkesave që mori nga anëtarë të KZAZ-ve të Tiranës. Më datë 18 maj KQZ miratoi në parim me vetëm katër vota të anëtarëve të zgjedhur nga shumica, një akt që i hapte rrugën vlerësimit të këtyre fletëve.

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste kërkuan vazhdimisht zbardhjen e këtij vendimi, i cili mori formë përfundimtare më datë 23 maj, me një vendim numër 709. Partia Socialiste ankimoi në kolegj të dy këto vendime.

Relator i kësaj cështje u përzgjodh gjyqtari, Tom Ndreca. Në të djathtë të tij u ul Entela Prifti dhe Petraq Dhimitri, kurse në të majtë Astrit Kalaja dhe Sashenka Jonuzi.

Thelbi i kontestimit të Partisë Socialiste kishte të bënte me natyrën e aktit të miratuar. Më 18 maj u miratua në parim dhe më 23 maj nen për nen dhe në tërësi. Mirëpo një akt normativ i KQZ-së kërkon një shumicë të cilësuar prej 5 votash. Po ashtu përfaqësuesit e Partisë Socialiste argumentuan se KQZ nuk mund të marrë atributet e KZAZ-së, kurse votat nuk mund të vlerësohen pas nxjerrjes së tabelave përmbledhëse nga KZAZ-të.

Sipas përfaqësuesve të Partisë Socialiste KQZ nuk mund t’i vlerësonte këto fletë me nismën e vet, por vetëm gjatë një procesi ankimor. Përfaqësuesit e KQZ-së si palë e paditur dhe të Partisë Demokratike si palë e interesuar argumentuan se vendimi i KQZ-së nuk është akt normativ, sepse nuk ka një shtrirje të përgjithshme; votat e hedhura në një kuti tjetër janë të vlefshme dhe si të tilla duhen numëruar, kurse vendimi i KQZ-së është një zbatim i drejtperdrejtë sipas tyre, i rekomandimeve të ndërkombëtarëve.

Kolegji e ndërpreu seancën për të kërkuar vënien në dispozicion si prova materiale të tabelave përmbledhëse të KZAZ-ve dhe të të gjitha grupeve të numërimit në Tiranë, përpara ndryshimit të rezultatit nga KQZ.

Seanca rifilloi në orën 17.00. Pas administrimit të këtyre provave, Kolegji u tërhoq për të marrë vendim. Pas orës 20, Kolegji hyri në sallën e tejmbushur, dhe kryesuesi i seancës Tom Ndreca shqiptoi vendimin:

“Kolegji Zgjedhor pasi dëgjoi palët në proces, administroi provat e paraqitura prej tyre, në zbatim të nenit 158 pika 2 dhe 3 të Kodit Zgjedhor, vendosi: rrëzimin e kërkesë-padosë së palës paditëse, Partia Socialiste përsa i përket kërkesës për përcaktimin si absolutisht të pavlefshëm të vendimit numër 709 datë 23.05.2011 së palës së paditur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Tiranë. Pushimin e gjykimit të cështjes lidhur me anulimin e vendimeve të ndërmjetme të nxjerra nga pala e paditur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky vendim është i formës së prerë, shpallur në Tiranë sot më datë 03.06.2011”.

Ndonëse askush pas këtij vendimi nuk pranoi të bëjë komente, burime pranë përfaqësuesve të Partisë Socialiste konfirmuan se beteja juridike e tyre do të vazhdojë.

Të heshtur, por më cliruar, ishin përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Top Channel