Nisma për ullirin

10/06/2011 20:40

Universiteti Bujqësor i Kamzës, ka ndërtuar në Valias një impiant modern për rritjen e të gjithë varieteteve të fidanëve të ullirit autokton të Shqipërisë së Mesme.

Ky impiant, me kapacitet prej 500 mijë fidanësh në vit, jo vetëm ndihmon në mënyrë të pazëvendësueshme që varitetet e ullinjve, edhe një mijë vjeçare, të Shqipërisë së Mesme të mos zhduken, por është edhe një nga bazat kryesore për zgjerimin e projektit të mbjelljes kombëtare të ullinjve, një nga projektet që mbështet personalisht prej kryeministrit Berisha.

Brenda dy viteve në të gjithë vendin janë mbjellë 10 milionë rrënjë ullinj, ku 1/3 e tyre është subvencionuar nga qeveria, gjë që e bën optimist kryeministrin Berisha për konsolidimin e këtij tregu.

“Në këtë proçes, që në 4 vite, synojmë të mbjellim 20 milionë rrënjë, ne e shndërrojmë Shqipërinë në një prodhues të përfillshëm të vajit të ullirit në rajon dhe më gjerë, vaj i cili ka një treg të përjetshëm”, është shprehur Berisha.

Për kryeministrin Berisha ka edhe një projekt tjetër shumë të rëndësishëm, nisja e mbjelljes në të gjithë vendin e plantacioneve me dru arrorë, gështenja, bajame, arra, lajthi dhe shegë.

Bashkë me nisjen së shpejti të projektit të vaditjes, kryeministri Berisha e konsideroi mbjelljen e arrorëve si projektin me kryesor për zhvillimin e qendrueshëm rural në vend.

“Nuk mund të konkurojmë me grurë, misër, por ne mund të jemi shumë konkurures me arrorë, ne duhet të mbjellim sa më shumë që të pushtojmë tregun europian me arrorë. Pra jemi në fillim të ndërtimit të një Shqipërie tjetër, që dora dorës do të bëhet kopshti më i bukur, më i madh i druve frutorë”, theksoi Berisha.

Top Channel