Në 6 korrik beteja e fundit për Tiranën

30/06/2011 15:00

Partia Socialiste ka dorëzuar sot në mëngjes në Kolegjin Zgjedhor
kërkesën e fundit ankimore për rezultatin për Kryetar të Bashkisë
Tiranë. Kërkesa ka 2 objekte: kundërshtimin e vendimit 1158 të
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe shpalljen e pavlefshmërisë së
zgjedhjeve në 284 qendra votimi.(UPDATE)

Kjo kërkesë vjen pas refuzimit që i bëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për ta shqyrtuar, me argumentin se nuk ishte kompetencë e tij, por e Kolegjit, kurse pavlefshmërisë i kishte kaluar afati.

Po sot Kolegji hodhi në short relatuesin e cështjes që do të jetë gjyqtari Astrit Kalaja. Përvec tij pjesë e trupës gjyqësore do të jetë edhe gjyqtarja Sashenka Jonuzi, e cila së bashku me gjyqtarin Kalaja kanë qenë të pranishëm në të dy seancat e mërpashme për Tiranën, në datë 3 dhe 13 qershor. Gjyqtarët e tjerë do të jenë Petraq Dhimitri, i pranishëm në seancën e datës 3 dhe Marie Qiriazi me Dhurata Haverin, të pranishme në seancën e datës 13 qershor.

Seanca do të zhvillohet ditën e mërkurë më 6 korrik në orën 10:00 paradite. Nëse Kolegji e pranon këtë kërkesë të fundit, pavlefshmëria e 284 qendrave të votimit do të cojë në përsëritjen e zgjedhjeve për kryetarin, në të gjithë Bashkinë e Tiranës. Nëse Kolegji e rrëzon kërkesën e Partisë Socialiste, atëhere mbetet në fuqi tabela përmbledhëse e miratuar nga KQZ, ku Lulzim Basha del fitues me 93 vota para.

Top Channel