“Ngrin” Albanian Airlines

30/06/2011 19:55

Prokuroria e Tiranës ka bllokuar të gjitha llogaritë bankare të personit nën hetim, bosit të Albanian Airlinies, si dhe llogaritë bankare të vetë kompanisë ajrore.

Ky lajm konfirmohet jo vetëm nga burimet pranë njësisë task forcë, e cila po e heton Ali Evsen për pastrim parash, por nga vetë kompania Albanian Airlines.

Në një komunikim zyrtar për mediat, kompania ajrore thotë se, pas njoftimit në media për ndalimin e bosit të saj, Agjencia e parandalimit dhe pastrimit të parave bllokoi të gjitha llogaritë e kompanisë dhe i liroi këto llogari në 24 qershor.

Por, sipas komunikatës për mediat, po në këtë ditë, me një kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, këto llogari bankare u bllokuan sërish.

Ngrirja e këtyre llogarive bankare, thuhet në reagimin e kompanisë, automatikisht bllokon gjithë aktivitetin tregtar të kësaj shoqërie.

Kjo krijon ngërc, thuhet në njoftimin për shtyp, dhe paqartësi për vijimësinë e vetë ekzistencës juridike të kësaj shoqërie, pasi ngrirja është shtrirë mbi llogaritë dhe jo mbi shoqërinë si e tillë dhe asetet e saj.

Më parë njësia task forcë tha për TCH se ishin bllokuar vetëm llogaritë personale të Ali Evsen me një vlerë afro një milion euro, ndërkohë që tashmë vlera e llogarive të bllokuara i kalon 3 milionë eurot.

Biznesmeni Ali Evsen, njëkohësisht pronar i Albanian Airlines u arrestua javën e kaluar në Madrid, i dyshuar për pastrim parash.

Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi disa orë më pas se kishin nisur hetimet, kryesisht në bashkëpunim me Spanjën dhe Turqinë, për të zbardhur nëse janë pastruar para dhe nëse po, si ka qenë skema e pastrimit të parave.

Burimet e prokurorisë thonë se ka nisur procesi i verifikimit të pronave që 49-vjecari Evsen ka në Shqipëri dhe paraprakisht rezulton se ai nuk ka kryer veprime dhe transaksione të shumta bankare.

Aktualisht Evsen rezulton të jetë pronar i disa kompanive në Shqipëri, ndërsa në Spanjë ai u arrestua si i dyshuar për nënshkrim kontratash fiktive me egjiptianin Hysein Salem, person i afërt me ish-presidentin Hosni Mubarak.

Top Channel