Liga e Europës, kualifikohet Flamurtari e Vllaznia

08/07/2011 00:30

Flamurtari dhe Vllaznia janë kualifikuar për në raundin e dytë të Kupës Europa Ligë falë rezultatit të ndeshjeve të para.

Vlonjatët i mbyllën këto dy ndeshje me Buducnostin me rezultatin e përgjithshëm 4-3. Edhe pse janë mundur në ndeshjen e kthimit 1-2, ka qenë rezultati i ndeshjes së parë në Podgoricë ai që ka shtyrë skuadrën e Maganit në fazën tjetër.

Ka shënuar sërish Flamurtari i pari me Shehaj në pjesën e parë ndërkohë në të dytën kanë përmbysur malazezët gjithcka brenda 5 minutash.

Në minutën e 72 Boskovic triblon brenda zonës dhe barazpeshon shifrat ndërsa në minutën e 77-të është sërish ai që shndërron në gol një 11-metërsh. Megjithatë edhe pse janë mundur vlonjatët kalojnë për më tej ku i pret skuadra ceke e Jablonecit.

Ndeshja e parë mes Flamurtarit e Jablonecit zhvillohet sërish në Vlorë më 14 korrik ndërsa ajo e kthimit më 21 korrik.

Në të njëjtën ditë luan edhe Vllaznia me Tunin e Zvicrës pasi ka barazuar 1-1 me Birkirkarën në ndeshjen e luajtur në Loro Borici.

Vajushi ka zhbllokuar rezultatin në fillimin e takimit, ndërkohë që Silva barazon për skuadrën malteze, por falë fitores në transfertë 1-0 shkodranët kalojnë për në fazën tjetër.

Ndërkohë në këtë raund të dytë eliminator të Kupës Europa Ligë do të luajë edhe Tirana e cila do të zhvillojë ndeshjen e parë në kryeqytet me skuadrën sllovake të Spartak Tërnavës.

Ndërkohë që protagonist në këtë raund janë edhe dy lojtarët e përfaqësues Teli dhe Agolli të cilët i kanë dhënë kualifikimin me dy golat e tyre të parë me skuadrën e Karabkut, e cila mundi 3-0 në ndeshjen e dytë Bangën.

Top Channel