Topi: Pritet faza e re e dialogut politik

12/07/2011 14:00

Takimi katërpalësh i Presidentëve të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi
dhe Kosovës që po mbahet në Ohër të Maqedonisë, ka nisur me takime
dypalëshe.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi e zhvilloi takimin e parë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Zyra e shtypit e presidencës shqiptare njofton se Presidenti Topi vlerësoi aksionin diplomatik të Presidentes Jahjaga për rritjen e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në funksion edhe të njohjeve të reja. Presidenti Topi u prit sot edhe nga mikpritësi i këtij samiti rajonal, Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës shqiptare, në këtë takim Presidenti Topi ka bërë bërë një panoramë të shkurtër të situatës politike në Shqipëri, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Presidenti Topi ka shprehur besimin se me fillimin e sezonit të ri parlamentar në vjeshtë, në Shqipëri do të nisë edhe një fazë e re e dialogut politik, që përfshin ndryshime në legjislacionin zgjedhor, por edhe me miratimin e ligjeve mjaft të rëndësishme për integrimin në Bashkimin Europian.

Samiti i Ohrit është samiti i tretë në këtë format, pas atij të mbajtur në Vlorë më 23 qershor 2009 dhe në Prizren më 26 qershor 2010.

Top Channel