Trafik droge me telefon

14/07/2011 19:55

Arif Kurti, pasi kishte marrë dënimin me pesë vjet nga drejtësia shqiptare, u rikthye në qendër të vëmendjes së drejtësisë në Nju Jork, pasi policia atje shpartalloi një bandë trafikantësh që mendohet se drejtoheshin pikërisht prej tij nga burgu shqiptar.

Ai vuan dënimin së bashku me pesë persona të tjerë, të akuzuar për trafik droge në të ashtuquajturën linjë të Ballkanit, që përshkon Maqedoninë e Shqipërinë drejt Perëndimit.

Sipas burimeve të drejtësisë, ky rrjet kishte trafikuar të paktën 54 kg heroinë gjatë muajve gusht-shtator 2008.

Por sipas këtij vendimi, që TCH posedon për këtë operacion të Policisë së Shtetit, vetëm i pandehuri Lutfi Shabani, apo Ben Cami, është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafikim të narkotikëve.

Ndërsa pesë të tjerët të arrestuar nga policia shqiptare, mes të cilëve edhe Arif Kurti, janë dënuar për një akuzë më të lehtë për veprën penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Për këtë rrjet droge Prokuroria e Krimeve të Rënda u shpreh aso kohe se edhe gjashtë shtetas të tjerë shqiptarë ishin arrestuar në Itali për dy episode të tjera të trafikut të drogës përgjatë vitit 2004 dhe ishin dënuar nga gjykata e Milanos.

Këta persona u cilësuan bashkëpunëtorë në vendimin e gjykatës shqiptare vetëm me Lutfi Shabanin për dy episode që i përkasin vitit 2004 për trafikimin e 34 kg heroinë.

Për këtë cështje kryesori u cilësua nga gjyqësori vetëm Lutfi Shabani, ndërsa të tjerët ku ndodhet edhe Arif Kurti bashkëpunëtorë në prodhimin dhe shitjen e narkotikëve.

Por nuk është hera e parë që bëhet publike një nga metodat më të cuditshme të drejtimit të rrjeteve të drogës me telefon nga burgu.

Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë goditi një rrjet prej shtatë personash, të cilët sipas akuzës drejtoheshin nga Endrit Dokle, i arrestuar dhe në paraburgim për cështjen e asaj që prokuroria njeh si dosja e grupit kriminal të Durrësit.

Prokurorët kanë thënë në gjykatë se ky grup ka trafikuar 40 kg heroinë drejt Italisë ndersa kreu i saj ndodhej në burg.

Top Channel