Fyle: Zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira

19/07/2011 19:35

Në përfundim të procesit zgjedhor, Bashkimi Europian shprehet se zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira. (UPDATE)

Këtë qëndrim të dy zyrtarëve më të lartë europianë që merren me Shqipërinë e lexoi vetë komisioneri për Zgjerim Shtefan Fyle, në përfundim të Këshillit të 3-të të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri.

“Unë jam i shqetësuar për situatën politike që vijon pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri dhe për shansin e humbur të Shqipërisë për të bërë progres thelbësor ndaj 12 prioriteteve kyce e sfidave për rrugën drejt Bashkimit Europian. Dua t’i theksoj 3 pikat në vijim, edhe në emër të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Cathy Ashton. Së pari, ne ndoqëm nga afër zgjedhjet lokale të 2011-ës dhe do t’ju citoj qëndrimin që u është shpërndarë. Ne shënojmë me shqetësim se ka patur debat e polarizim mbi vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor. Zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira pasi treguan përtej dyshimeve se kuadri zgjedhor duhet reformuar”, deklaroi Fyle.

Më pas, në qëndrimin e përbashkët, Ashton dhe Fyle përsërisin se parregullësitë në kuadrin ligjor dhe procesin elektoral duhet të adresohen në mënyrë konsensuale, efikase dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR nga zgjedhjet e 2007 deri tani.

BE mbështet iniciativën për opinion nga Komisioni i Venecias mbi shmangien e situatave të ngjashme elektorale në të ardhmen dhe pret që të gjitha forcat politike në vend ta mbështesin këtë iniciativë, në mënyrë që të dëshmojnë përpjekje serioze për kapërcimin e vështirësive që hasen në mbajtjen e zgjedhjeve së fundmi në 2011.

“Tashmë që Kolegji Zgjedhor ka përfunduar detyrën e tij është koha për forcat poitike në Shqipëri që të kapërcejnë ngërcin dhe të kthehen në një nivel të dialogut politik që mund të lejojë funksionimin e duhur të institucioneve kyce demokratike, sidomos parlamenti”, nënvizoi Fyle.

Kjo është hera e parë që Bashkimi Europian shprehet kaq qartë mbi zhvillimin e një procesi zgjedhor në Shqipëri, pa pritur raportin përfundimtar nga OSBE/ODIHR.

PERGATITI: Arta Tozaj

Top Channel