Kryeprokurori i Hagës, Serge Brammertz vleresoi Serbinë për arrestimin e serbo-kroatit Goran Haxhic, një prej të dyshuarve më të mëdhenj për krime gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi.

Ai akuzohet për krime kundër njerëzimit gjatë viteve 1991-1995 dhe u kap nga forcat serbe në parkun kombëtar “Fruska Gora”, 65 km në veri të Beogradit.

“Jemi të kënaqur me arrestimn e fundit. Është shumë e rëndësishme për viktimat. Sic e dini, Haxhic ishte në arrati për disa vjet, kësisoj është shumë e rëndësishme për të prekurit në Kroaci, të cilët më në fund shohin drejtësinë të vihet në vend. Natyrisht, është edhe shumë e rëndësishme për gjykatën, sepse është i fundit nga të arratisurit nga lista me 161 të akuzuar”, deklaroi Brammertz.

52-vjecari Haxhic ishte një prej figurave kryesore të Krajinës, Republikës Serbe në Kroaci. Pas arrestimit të gjeneralit serbo-boshnjak Ratko Mlladic, ai ishte i dyshuari i fundit që kërkohej nga gjykata e Hagës.

“Serbia, në një mënyrë shumë të rëndësishme, ka përmirësuar bashkëpunimin dhe ka përmbushur detyrimet e mbetura në lidhje me të dyshuarit në arrati. Ky është një zhvillim pozitiv, është një aspekt pozitiv në lidhje me bashkëpunimin dhe natyrisht që do të përmendet si një cështje e rëndësishme në raportin e ardhshëm në Këshillin e Sigurimit. Raporti i ardhshëm do të paraqitet në nëntor dhe ky do të njihet si një hap shumë pozitiv”, nënvizoi Brammertz.

Bashkimi Europian, që përgëzoi Beogradin për arrestimin e Ratko Mlalldic në muajin maj, këmbënguli në arrestimin e Haxhic, që Serbia të shënonte progres drejt anëtarësimit në Union.

Brammertz nuk dha asnjë detaj se kur ai do të transferohet në Hagë. Haxhic, një mik i kreut të paramilitarëve serbë, Zelko Raznatovic apo Arkanit, u bë i njohur në fillim të viteve 1990, i përfshirë gjithashtu edhe në shumë biznese të pista.

Top Channel