Zgjedhjet, ambasadorët mbështesin Fyle

21/07/2011 22:55

Rezervat për zgjedhjet e Tiranës u shprehën haptas në Bruksel nga komisioneri Shtefan Fyle në një konferencë për shtyp në përfundim të takimit konsultativ mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Në deklaratën e përbashkët komisioneri deklaroi se duhet të zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe palët t’i rikthehen dialogut dhe të gjejnë një zgjidhje.

Në të njëjtën gjatësi vale ishin edhe zëvendësambasadorja e SHBA në Tiranë, Debora Jones, ambasadori BE-s Ettore Sequi dhe ai i OSBE-së Eugen Wollfarth.

Të tre ambasadorët, pak përpara nisjes së festës kombëtare të Egjiptit, kanë theksuar edhe njëherë se dialogu duhet të jetë prioritet i poltikanëve shqiptarë.

Por ata nuk kanë dhënë ndonjë sugjerim konkret se si mund të zhvillohet dialogu kur polarizimi mes dy kampeve politike në vend sa vjen e thellohet.

Sequi: Ju e keni lexuar deklaratën e përbashkët të përfaqësues së lartë të BE-së, zonjës Ashton dhë të komisionerit për Zgjerim, që është shumë me rëndësi dhe tregon domosdorshmërinë e nisjes së dialogut politik për reformën elektorale.

Jones: Shtetet e Bashkuara bashkëpunojnë ngushtë me Unionin Europian dhe OSBE-në. Zgjedhjet lokale demostruan nevojën për një reformë zgjedhore dhe dialog politik. Në këtë drejtim duam të shikojmë progres. Ka shumë punë për tu bërë dhe ne do të jemi mbështetës.

Wollfarth: Emri i “lojës” quhet dialog. Ky dialog mes kampeve poltike është i nevojshëm për proceset integruese. Ndihma e ofruar nga BE për të nisur dialogun nuk ka përse të përsëritet pasi duhet të vijë në ndihmë të vendit tuaj. Ne shprehim gadishmëri për të ndihmuar.

Top Channel