Kryeministri norvegjez: Situatë serioze

22/07/2011 18:45

Kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg, i Partisë Laburiste, e ka cilësuar si “shumë serioze” situatën pas shpërthimit në Oslo.

Në një bisedë telefonike me televizionin norvegjez, ai tha se anëtarët e kabinetit qeveritar besohet se janë të sigurt.

Stoltenberg bëri gjithashtu të ditur se policia i ka sugjeruar atij që të mos zbulojë vendndodhjen e tij.

“Edhe kur dikush është i mirëpërgatitur, është gjithmonë dramatike kur dicka e tillë ndodh”, është shprehur kryeministri.

Ndërkohë, numri dy i policisë së Oslos ka bërë të ditur për BBC se operacionet e shpëtimit janë në vazhdim e sipër.

“Po marrim masa për t’u siguruar që në zonë të mos ketë më persona, në rast të një shpërthimi tjetër”, ka deklaruar Egil Verkke.

Ai ka saktësuar se në skenën e krimit ndodhen ekspertë të lëndëve shpërthyese, të cilët po kontrollojnë nëse ka mjete të tjera të tilla të vendosura në zonën ku ndodhi shpërthimi.

Top Channel