Sequi: Palët duhet të bashkëpunojnë për integrimin

23/07/2011 11:45

Situata politike në vendin tonë, kapërcimi i ngërçit politik dhe
domosdoshmëria e realizimit të reformave jetësore për integrimin
evropian të Shqipërisë, ishin në qendër të bisedimeve të presidentit
Bamir Topi dhe Kreut të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë,
Ettore Sequi, në takimin e paradites së sotme.

“Në këtë situatë të stërzgjatur ngërçi politik, është e domosdoshme ulja e tensionit politik dhe nisja e menjëhershme e dialogut politik institucional mes palëve dhe gjetja e vullnetit të sinqertë për kryerjen e reformave shumë të rëndësishme si ajo zgjedhore, në sistemin e drejtësisë, etj, që do të mundësonin vazhdimin e rrugëtimit integrues evropian të vendit dhe do të shërbenin si provë pjekurie e klasës politike shqiptare para bashkësisë ndërkombëtare”, tha Topi, ben te ditur njoftimi zyrtar i presidences.

Nga ana e tij Sequi theksoi se “Shqipëria nuk i ka plotësuar 12 përparësitë të kërkuara nga Evropa e Bashkuar, prandaj për është shumë e rëndësishme që si mazhoranca ashtu edhe opozita të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim.

“Përndryshe perspektiva evropiane e Shqipërisë rrezikon të mbetet ende larg aspiratave dhe interesave madhore të popullit shqiptar”, tha Sequi.

Top Channel