Vendimi në 2006: Erzeni nuk preket

26/07/2011 19:45

Lumi Erzen ka dalë nga lista e lumenjve të shfrytëzueshëm me vendim të 21 qershorit 2006 nga Këshilli Kombëtar i Ujit, me firmë të kryeministrit Berisha dhe ministrit të atëhershëm të mjedisit Lufter Xhuveli.

Në këtë listë sanksionohen vetëm lumenjtë të cilët lejohet të përdoren për shfrytëzim zhavorri, e ku mes tyre nuk bën pjesë Erzeni. Në këtë vendim në mënyrë të detajuar përcaktohen edhe vendet ku duhet të merret zhavorri dhe po kështu, edhe muajt e vitit kur ato mund të shfrytëzohen.

Ndërkohë që brenda 2006 urdhërohet heqja e të gjithë impianteve të përpunimit të inerteve në ato zona të papërfshira në këtë listë, që e nënvizojmë nuk përfshin lumin Erzen.

Por ky vendim nuk është i vetmi përmes të cilit sanksionohet mos përdorimi i lumit Erzen.

Në 11 shkurt të vitit 2010 në komisionin e mjedisit në Kuvend ministri Fatmir Mediu ka raportuar mbi gjendjen e lumenjve, problemet dhe manaxhimin e shtretërve të tyre.

Ky është dokumenti me proçesverbalin e mbledhjes. Përballë vetëm deputetëve të mazhorancës ministri Mediu sqaron se Lumi Erzen është jashtë listës së lumenjve të shfrytëzueshëm.

Sipas tij, ky vendim u mor duke shfuqizuar atë të vitit 2003 i cili lejonte përdorimin e zhavorrit të lumit Erzen.

Erzeni, lumi Drin nga diga e Spatharit deri në Bërdicë, lumi Shkumbin dhe lumi Vjosë nga ura e Mifolit deri 5 kilometra në drejtim të kundërt të tij nuk lejohet të përdoren.

Për më tepër ministri Mediu kërkoi edhe masa ligjore ndaj një sërë subjektesh ilegale të cilët siç ka thënë ai kryenin aktivitet privat në këtë basen.

E pavarësisht vendimeve të Këshillit Kombëtar të Ujit, që mbajnë firmën e kryeministrit, deklaratave të ministrit të Mjedisit që rithekson vendimin për mosshfrytëzimin e lumit për shkak të rrezikut të shkatërrimit të shtratit të tij, sot Erzeni është kthyer në një kantier të madh ndërtimi, një kantier që po shuan plotësisht lumin Erzen.

E për më tepër gjithçka ndodh në mes të ditës vetëm pak metra nga rruga nacionale aty ku kalojnë qytetarë të thjeshtë, por edhe zyrtarë të lartë.

Top Channel