“Piramida”, Basha “harron” premtimin?!

29/07/2011 18:25

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili gjatë fushatës elektorale ishte shprehur se nuk ishte për prishjen e Piramidës, deklaron në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se në kushtet kur ka një ligj, Bashkia i përmbahet shtetit ligjor. (UPDATE)

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, edhe një pyetje të fundit. Eshtë rihapur debati për çështjen e Piramidës. Mbaj mend që gjatë fushatës zgjedhore ju u pyetët për këtë dhe dhatë një përgjigje disi ambigue, duke lënë hapësira për shumë interpretime. Keni marrë së fundi dhe një peticion të firmosur nga disa mijëra qyetarë të Tiranës. Gjatë fushatës ju keni thënë se do të dëgjoni zërin e çdo qytetari dhe se nuk do të ngurroni edhe të përballeni me qeverinë nëse interesat shkojnë në të kundërt me ato të qytetit të Tiranës. A është ky rasti për ta mbajtur këtë premtim?

Lulzim Basha:   Bashkia është e hapur për të dëgjuar zërin e çdo qytetari dhe Bashkia ka marrë në dorëzim një peticion nga një numër qytetarësh të cilët besojnë se Piramida nuk duhet të shëmbet. Unë kam thënë gjatë fushatës se nuk jam nevojshmërisht për shembjen e Piramidës por jam domosdoshmërisht për ndërtimin e një parlamenti të ri i cili i bën nder kryeqytetit dhe qytetit të Tiranës. Diskutimi ka lëvizur që nga ai moment sepse parlamenti ka kalur ligjin dhe Bashkia si çdo institucion i këtij vendi i përmbahet shtetit ligjor. Por ajo që mund t’ju them është përsëri, se ne do të shërbejmë me devotshmëri duke dëgjuar zërin e cdo qytetari e në këtë kuadër cdo cështje që ka të bëjë me interesin qytetar, me interesin e prekshëm të banorëve të Tiranës dhe jo me luftën politike, qoftë kjo e hapur apo e maskuar, është në krye të axhendës së Bashkisë së Tiranës dhe në axhendën time si kryebashkiak.

Top Channel