Zyrtari serb Oliver Ivanovic ka deklaruar se komandanti i KFOR-it Erhard Byhler nuk mund të përdorë forcën kundër një populli të paarmatosur.

Në një intervistë për “REL”, ai është shprehur se do të ishte i papranueshëm përdorimi i forcës ndaj një populli “duarthatë, pasiv dhe të disiplinuar”.

Ivanovic, i cili aktualisht ndodhet pranë barrikadave në pikën kufitare në Jarinë, ka theksuar se popullin serb nuk mund ta lëvizë askush.

“Unë mendoj se Byhler ose nuk i ka kuptuar mirë bashkëbiseduesit tanë, ose ata nuk kanë qenë të qartë. Këtë popull nuk mund ta lëvizë askush. Nuk ka Zot që t’i lëvizë që këtej pa u plotësuar kushtet tona”, ka deklaruar Ivanovic.

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën është shprehur se nëse këto kushte, që nënkuptojnë kthimin e gjendjes para 26 korrikut, plotësohen, atëherë nuk do të ketë probleme.

Top Channel