Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci deklaron se me arritjen e marrëveshjes një ditë më parë, u arritën edhe tri objektiva të rëndësishme.

Në një intervistë për radion Europa e Lirë, Thaci theksoi se me paktin u realizuan tri qëllime: respektimi i plotë i reciprocitetit, ndalja e plotë e kontrabandës dhe vënia nën kontroll të plotë të territorit të Republikës së Kosovës.

Sipas Thacit, ajo që do të duhej të ndodhte në qershor të vitit 1999, ndodhi në korrik të vitit 2011, ndërkohë premton se në veri do të sundojë rendi dhe ligji dhe se për këtë ka mbështetjen ndërkombëtare. Ai tha se pas 25 korrikut, ëndrra e Serbisë për ndarjen e Kosovës është shuar.

“Tani kemi një rrethanë të re, një situatë të re, një kapitull të ri, i cili nuk do të ketë në asnjë rrethanë kthim mbrapa. Për Kosovën nuk do të ketë rikthim në gjendjen e para 25 korrikut, do të ketë vetëm ecje përpara.Angazhimet tona do të jenë të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar dhe për rregullimin tonë të brendshëm do ta respektojmë vetëm Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe nuk do të dialogojmë apo negociojmë me askënd”, u shpreh Thaci.

SHBA përshëndet paktin

Zëvendësndihmësi i sekretares amerikane të Shtetit, Tomas Kantrimen, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ka mirëpritur në emër të Shteteve të Bashkuara arritjen e pajtueshmërisë për qetësimin e situatës në veri të Kosovës, duke thënë se me të hapet rruga për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimin Evropian midis Kosovës dhe Serbisë.

“Vlerësojmë faktin se Beogradi dhe Prishtina kanë ushtruar durim dhe gatishmëri për të qetësuar situatën, derisa zhvilloheshin diskutimet për këtë pajtueshmëri”, tha Kantrimen.

Sipas tij, ky pakt stabilizon situatën dhe hap rrugën për një diskutim shumë të rëndësishëm, që është vazhdimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian midis Kosovës dhe Serbisë.

Top Channel