Presidenti i Serbisë Boris Tadic bind strukturat paralele të veriut që ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me KFOR-in.

Në një takim mbajtur mbrëmjen e kaluar në Beograd, drejtuesit e strukturave janë pajtuar më Tadic që problemet t’i zgjidhin në bashkëpunim me shtetin serb.

Po ashtu, sipas Telegrafit, ata kanë kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i që të zbatojnë Rezolutën 1244, ndërsa pritet edhe heqja e barrikadave.

“Kemi rënë dakord që të gjithë bashkë të ruajmë qetësinë, unitetin dhe stabilitetin në atë pjesë të Kosovës, të vazhdojmë bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe që në të gjitha kontaktet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të kërkojmë që të respektohet në mënyrë rigoroze Rezoluta 1244”, tha pas takimit një prej zyrtarëve serbë të veriut.

Stefanovic: Marrëveshja, jo idealja

Kreu i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanovic ka deklaruar se marrëveshja e arritur me KFOR-in është një marrëveshje e mirë në rrethanat aktuale, por jo më optimalja.

“Marrëveshja është e karakterit të përkohshëm, ajo nuk është ideale, nuk është më e mira, por në cdo rast ndihmon në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit, si dhe në ruajtjen e pozicionit që kanë serbët e Kosovës”, ka pohuar Setfanovic për mediat serbe.

Sipas negociatorit serb, marrëveshja në fjalë gjithashtu hap mundësinë e vazhdimit të dialogut dhe do të aplikohet së paku deri më 15 shtator.

Top Channel