
Kryeministri kosovar, Hashim Thaci ka deklaruar se bllokadave serbe në veri të Kosovës po u vjen fundit.
Në një intervistë për VOA, Thaci ka paralajmëruar kundërveprime të qeverisë së Prishtinës në bashkëpunim me KFOR-in.
“Bllokadat dhe bllokuesit i kanë orët e numëruara, ndryshe qeveria e Kosovës do të përdorë të gjitha opsionet kushtetuese”, ka pohuar Thaci.
Thaci ka bërë të ditur se aktualisht në pikën kufitare 31 ndodhen trupat e NATO-s, si dhe agjentë të Policisë së Kosovës dhe asaj të UNMIK-ut.
“Nga rrethanat që u krijuan nga strukturat kriminale, kemi një situatë të kufizuar ushtarake, ku asnjë person dhe asnjë automjet nuk mund të kalojë pa u identifikuar për armë apo mallin që tregton”, ka nënvizuar Thaci.
Sipas tij, këto kontrolle kanë bërë që në pikat kufitare në veri të pengohet kontrabanda e mallrave dhe e derivateve të naftës.
“Nga ana tjetër, kontrabanda në pikat 1 dhe 31 është ndalur në 100 për qind. Gjithë zona kufitare kontrollohet nga autoritetet e NATO-s, ndërkohë që edhe rrugët dytësore që përdoren për kontrabandë janë bllokuar gjithashtu”, ka deklaruar Thaci.
Duke theksuar se për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri nuk do të ketë kompromis me askënd, kryeministri ka përjashtuar opsionin e ndarjes së Kosovës.
“Nuk ka rrezik për ndarjen e Kosovës. Ka pasur qëllime dhe projekte konkrete të Beogradit, por dicka e tillë nuk do të ndodhë. Sot kemi një realitet të ri”, është shprehur Thaci, i cili ka paralajmëruar një efekt domino në rast se kufijtë e Kosovës preken.
“Cdo pretendim për ndryshim të kufijve të Kosovës do të prekë 6 shtete të rajonit tonë. Veriu është një problematikë kosovare”, ka deklaruar Thaci.
Pyetjes a kanë qenë SHBA të informuara mbi operacionin e forcave speciale në veri, kryeministri i është përgjigjur:
“SHBA kanë mbështetur cdo iniciativë për shtrirjen e rendit në të gjithë territorin e Kosovës dhe po ashtu edhe Brukseli. Për këtë arsye ne u jemi mirënjohës atyre”.
Top Channel