Kromi, një histori abuzimesh

09/08/2011 15:50

Historia minierës së Bulqizës përbën ndoshta një nga dështimet më të
mëdha me koncesionet, ku mpleksen viktima të pafajshme, fitime
marramendëse dhe afera të dyshimta korruptive, që shkojnë deri në
nivelet më të larta të qeverisë.

Në vitin 2001, ish-qeveria e atëhershme socialiste, miratoi koncesionin e parë të minierës së Bulqizës, së bashku me disa objekte të tjera që përfshinën dhe fabrikën e pasurimit të kromit.

Koncesioni iu dha një kompanie italiane me emrin DARFO. Për më shumë se 5 vite italianët shfrytëzuan minierën, rezervat dhe stoqet e akumuluara në vite pa bërë asnjë investim. Nga fundi i vitit 2006, DARFO u largua dhe ia shiti koncesionin një grupi, ruso-austriak te quajtur ACR.

Shitja u mbikqyr nga ministri i atëhershëm i Ekonomisë Genc Ruli, i cili ishte dhe njeriu që negocioi marrëveshjen e re të koncesionit. Sipas marrëveshjes, që u votua në kuvend në vitin 2007, ACR detyrohej të investonte deri në fund të 2010 të investonte të paktën rreth 22 milionë euro, për të rinovuar teknologjinë dhe për të përmirësuar kushtet e sigurisë në punë.

Koncesioni i ri solli shpresën se më në fund problemet në minierë do të përfundonin dhe investitorët e rinj do të nisnin investimet për të përmirësuar kushtet e minatorëve dhe rendimentin e minierës. Por historia u përsërit. E nxitur nga cmimet rekord të kromit në vitet 2007-2008, kompania nisi shfrytëzimin masiv të rezervave të akumuluara nga vitet e komunizmit, ndërsa investimet zvarriteshin. Ndërkohë në minierë, minatorët humbisnin jetën njëri pas tjetrit, për shkak të mungesës së investimeve.

Pas tre vitesh shfrytëzim, ACR kishte shkelur të gjitha planet e investimeve që detyronte marrëveshja. Në këtë situatë në 7 korrik të vitit 2009, kompania i drejtohet Ministrisë së Energjetikës, ku i kërkon të ndryshojë marrëveshjen e koncesionit. Vetëm dy ditë më vonë ish-ministri Genc Ruli firmos ndryshimin e marrëveshjes duke shtyrë mbi 13 milionë euro investime për vitet 2009-2013, edhe pse sipas koncesionit investimet duhet të kishin përfunduar sakaq.  

Vetëm pak ditë para se të linte detyrën Genc Ruli, kishte ndryshuar një marrëveshje të votuar nga kuvendi në kundërshtim të hapur me ligjin.

Pas publikimit të skandalit në Top Channel, ish ministri Ruli reagoi duke dhënë versionin e tij se pse e ndryshoi marrëveshjen pa e kaluar në kuvend, duke thene si arsye pushimet verore te deputeteve.Pak ditë më vonë prokuroria njoftoi publikisht celjen e hetimeve. Dosja edhe sot vazhdon të endet në zyrat e saj, ndërsa abuzimet në minierë vazhdonin.

Pas zgjedhjeve të vitit 2009 në krye të Ministrisë së Energjetikës vjen Dritan Prifti, i cili tentoi të anullonte koncesionin duke e quajtur marrëveshjen zyrtarisht të dështuar.

Por edhe kjo nismë u zhbë shpejt. Kërcënimet dhe akuzat për heqje koncesioni mbeten vetëm deklarata dhe nuk u mor asnjë hap ligjor për t’i dhënë fund abuzimeve dhe shfrytëzimit barbar të minierës.

Tani ekspertët thonë se miniera rrezikon të shembet, për shkak të shfrytëzimit pa kriter dhe investimeve të munguara. Ky do të ishte kulmi tragjik i një historie dështimi dhe korrupsioni qindra milionë dollarësh, që sheh të implikuar që nga bandat e kriminelëve ordiner e deri tek zyrtarë më të lartë të këtij vendi, që kanë hedhur thonjtë dhe po abuzojnë me një nga pasuritë më të mëdha të këtij të shqipërisë. Rezervat e kromit, për të cilat thuhet se vendi renditet i katëri në botë.

Top Channel