Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle u shpreh pas një takimi
që ka zhvilluar me presidentet Atifete Jahjaga, se Gjermania mbështet
integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe proceset
integruese të saj.

Westerwelle e ka përgëzuar presidenten Jahjaga për marrjen e detyrës në krye të shtetit dhe tha se Gjermania është e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në të gjitha proceset demokratike.

Ai tha se është me rëndësi progresi i Kosovës në të gjitha fushat dhe në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik.

Në këtë rast, Westerwelle theksoi se Gjermania mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe vlerësoi se është i rëndësishëm bashkëpunimi dhe koordinimi i Kosovës me vendet anëtare të BE-së dhe në veçanti me Gjermaninë, si vend përkrahës i saj.

Kurse presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga,Sipas Kosovapress e falënderoi ministrin gjerman për mbështetjen që jep vendi i tij për Kosovën.

Jahjaga theksoi se është me rëndësi thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën politike dhe ekonomike dhe vlerësoi se Gjermania mund të ndihmojë në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit dhe shtetësisë së Kosovës.

Top Channel