RISHM: Policia të nxjerrë grevistët

11/08/2011 15:10

Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave i kërkoi policisë të ndërhyjë me
forcë për të nxjerrë minatorët nga greva pasi sipas këtij insitucioni
miniera ka filluar të degradohet dhe po shembet.

“RISHM i bën thirrje forcave të policisë të ndërhyjnë urgjentisht për të bërë mundur sigurinë e jetës së tyre, si edhe për të bërë të mundur sigurinë e vetë minierës që konsiderohet pasuri kombëtare”, tha drejtori i Repartit, Sajmir Zekaj.

Drejtori Zekaj, tha se kushtet e sigurisë janë përkeqësuar vetëm për shkak të ndërprjes së punës dhe mohoi që përpara grevës të ketë patur cënim të tyre.

“Në inspektimin e fundit të kryer në muajin mars nuk ka patur probleme serioze të sigurisë në punë, mund të quheshin normale. Kushtet e vështira të minierës krijohen nga mospunimi dhe mosmirëmbajtja në vazhdimësi”, tha Zekaj.

Por deklaratat e Repartit të Inspektimit rrëzohen nga një dokument zyrtar i Ministrisë së Energjetikës. Në datën 20 korrik, disa ditë përpara se të niste greva e miniatorëve në nëntokë, ministri Nasip Naco urdhëroi pezullimin e pjesshëm të lejes për ACR-në. Në deklaratën zyrtare të Ministrisë thuhet se leja u hoq pasi kompania nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë dhe ato të shfrytëzimit dhe konstatimi për këtë ishte bërë pikërisht nga vetë reparti i inspektimit të minierave.

Kryqëzimi i këtyre dy fakteve që kundërshtojnë njëra-tjetrën ngre një pyetje. Cili është versioni i saktë? Ai që thotë drejtori i Repartit në konferencë për shtyp se kushtet e minierës u përkeqësuan vetëm nga greva, apo dokumenti zyrtar i Ministrisë që pranon se minatorët kanë punuar gjithë kohën të pasigurt për jetën, pasi ACR nuk i ka bërë investimet që i detyronte marrëveshja koncesionare?  

Top Channel