Qeveria pranon realitetin

27/08/2011 16:35

Qeveria është detyruar të pranojë se ekonomia ka ngadalësuar rritjen dhe nuk do i rikthehet më ritmeve të parakrizës, të paktën jo në periudhë afatshkurtër.

Pasi u detyrua të ulë vlerësimin e rritjes ekonomike për këtë vit nga 5.5 në 5 përqind, në kuadrin e sapomiratuar makroekonomik dhe fiskal, qeveria ka korrigjuar në ulje edhe ritmet e rritjes për tre vitet e ardhshme.

Sipas dokumentit, në vitin 2012 rritja do të jetë 5 përqind nga 6 që ishte parashikimi i fillimit të vitit.

Edhe në vitin 2013 rritja është ulur me 1.2 pikë përqindjeje dhe nga 6.2 shkon në 5 përqind. Për vitin 2014 vlerësimi është ulur nga 6 përqind në 5.2 përqind.

Sërish variantet e qeverisë tentojnë të jenë më optimiste nga realiteti. Këtë vit qeveria deklaroi fillimisht një rritje ekonomike prej 5.5 përqind, pavarësisht kundërshtive të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Por pas ecurisë së ngadaltë në gjysmën e parë të vitit, në korrik shifra u ul në 5 përqind, kur qeveria u detyrua të ndërhynte për të rishikuar buxhetin. Edhe varianti 5 përqind duke optimist.

Banka e Shqipërisë një muaj më parë deklaroi se vlerësimi i saj, bazuar në zhvillimet e gjysmës së parë të vitit është që ekonomia të rritet nga 3 deri në 4 përqind, ashtu si vitin e kaluar.

Tkurrja e rritjes ekonomike do të thotë se të ardhurat e familjarëve në total do të rriten më ngadalë nga ritmi i tyre normal përpara krizës.

Por përveç kësaj ngadalësimi i ekonomisë cënon edhe financat publike duke e bërë më të vështirë uljen e borxhit publik, të cilin qeveria në vitin zgjedhor 2013 parashikon ta çojë në 58.6 përqind, ose 0.2 pikë përqindje më shumë nga fundi i vitit të kaluar edhe pse ishte angazhuar në publik për uljen e tij.

Top Channel