“Krimi po ngre dorë ndaj shtetit”

09/09/2011 18:50

Anëtarët e Gjykatës së Lartë në vend kanë lëshuar një deklaratë të fortë pas atentatit me bombë që i mori jetën gjyqtarit Skerdilajd Konomi. (UPDATE)

Këtë ngjarje kriminale, Gjykata e Lartë e cilëson si ngritje të dorës së krimit kundër shtetit, si një atentat të rëndë jo vetëm ndaj një shtetasi, gjyqtar i Republikës, por edhe si një atentat që drejtohet kundër pushtetit gjyqësor në tërësi, kundër të gjithë agjencive të zbatimit të ligjit, si dhe kundër të gjithë institucioneve dhe funksionarëve publikë të shtetit shqiptar.

“Kur krimi godet drejtësinë, ai kërcënon të sfidojë shtetin dhe mbrojtësit e ligjit. Kjo vë në pikëpyetje të madhe aftësinë e autoriteteve shtetërore për të përkrahur dhe garantuar sigurinë e të gjithë atyre që punojnë cdo ditë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër krimit”, thuhet në deklaratën e Gjykatës së Lartë.

Duke shprehur hidhërimin e thellë dhe ngushëllimet për familjen Konomi, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë bashkohen me thirrjen e komunitetit të gjyqtarëve dhe institucioneve të tjera të drejtësisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore dhe ndëshkimin shembullor të autorëve të kësaj ngjarjeje makabre.

Gjithashtu, ata i bëjnë thirrje organeve kompetente shtetërore që të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre.

Top Channel