Me interes të madh ndjek opinioni publik në Greqi fillimin e gjyqit të shumëpritur në Hagë, për një prej masakrave më famëkeqe në vend, atë të Distomos, që kanë kryer nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në emër të interesit kombëtar, Athina zyrtare nëpërmjet vetë kryeministrit Papandreu, ka shprehur para disa muajsh përkrahjen ndaj një grupi qytetarësh grekë që kanë ngritur padi prej vitesh kundër Gjermanisë, duke kërkuar prej saj të paguajë dëmshpërblim për këtë krim ndaj dhjetëra të pafajshmëve në një fshat të prefekturës së Viotias.

Masakra ka ndodhur në 10 qershor të 1944 në Distomo, kur me urdhër të kolonelit Hans Zampel, janë pushkatuar 218 banore të fshatit,117 gra dhe 101 burra. Midis viktimave ishin 20 foshnja, 45 fëmijë dhe 42 të moshuar.

43 vjet më vonë ka filluar odiseja gjyqësore për këtë masakër, kur të afërmit e viktimave, kanë kërkuar nga shteti gjerman dëmshpërblim moral dhe material për krimet e ushtarëve të Rajhut të 3, një akt ky i pa precedent sepse për herë të parë u kërkuan dëmshpërblime nga individë.

Pavarësisht se kanë fituar procesin në një gjykatë vendase,vendimi nuk është njohur nga Gjermania me pretendimin se gjykatat greke nuk kanë juridiksion ndërkombëtar të nevojshëm për të ndjekur penalisht krime të tilla të luftës.

Pas shumë vitesh përpjekjesh të afërmit e viktimave të Distomos e kanë fituar cështjen edhe në Gjykatën e Lartë të Italisë, por më pas shteti gjerman ka bllokuar cdo veprim duke cuar procesin në Gjykatën Ndërkombëtare.

Sot në Hagë Greqia kërkon në radhë të parë drejtësi morale, që nënkupton dënimin e krimeve të kryera nga ushtria pushtuese në një vend të huaj, autoret e te cilave janë ende të pandëshkuar. Kjo do t’u hapë rrugën pretendimeve për kompensim monetar të afërmve të viktimave dhe jo vetëm.

E ndodhur tashmë në rrethana inferiore, sepse e ardhmja e ekonomisë varet në një shkallë të madhe nga Berlini, Athina ndjek në heshtje, por me interesim të madh procesin që lidhet edhe me dëmshpërblimet e luftës, ndërsa nuk mungojnë zëra në kabinetin Papandreu që deklarojnë se nëse ky gjyq fitohet, është momenti më i mirë për t’i kërkuar Gjermanisë kompensimet, të cilat vlerësohen nga 70 deri në 170 miliard euro, gati sa gjysma e borxhit grek.

Top Channel