Jonathan Stonestreet shefi misionit të OSBE-ODIHR është rikthyer në
Shqipëri për t’i prezantuar palëve problematikën dhe rekomandimet e dala
nga raporti për zgjedhjet e 8 Majit. Sikurse edhe në raportin
përfundimtar, zoti Stonestreet e ka patur të vështirë të japë një
konkluzion final nëse zgjedhjet lokale i përmbushën standardet e
kërkuara nga BE.

Kryevëzhguesi OSBE-ODIHR-it, i shoqëruar nga ekspertët e zgjedhjeve, zonja Nicolas Shmid dhe Richard Lapin, janë takuar fillimisht me ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto.

“Është kënaqësi të jemi përsëri në Shqipëri për të prezantuar raportin përfundimtar, i cili përmban një përshkrim të plotë lidhur me zgjedhjet e 8 Majit. Në raport përfshihen aspektet pozitive njëkohësisht edhe cfarë duhet përmirësuar. Është me rëndësi për t’u fokusuar në ato aspekte ku mund të realizohen përmirësimet.  Rekomandimet e zgjedhjeve lokale janë me rëndësi të shikohen së bashku me rekomandimet e zgjedhjeve të 2009-ës. Elementi thelbësor është realizimi zgjedhjeve përmes të cilave votuesit shprehim vullnetin e tyre dhe nuk është një bejetë mes partive politike. Është e nevojshme ndërmarrja e hapave të duhur në kuadrin ligjor të zgjedhjeve për të cilin duhet një vullnet politik. Shpresojmë që reforma zgjedhore të nisë së shpejti, nuk është nevoja të niset me urgjencë por duhet të përfundojë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme”, tha Stonestreet.

I pyetur nga Top Channel për të dhënë një përgjigjje përfundimtare nëse zgjedhjet e 8 majit i plotësuan standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët dhe përse fjala standard nuk përmendet asnjëherë në raport, Jonathan Stonestreet i është përgjigjur me evitimin e  fjalën ‘standard’ por duke përdorur fjalën ‘angazhim’.

“Në raportet tona ne i referohemi angazhimeve të OSBE-së. Në fakt në disa pjesë të raportit ne disa herë e kemi shprehur se ku angazhimet s’janë plotësuar. Ju keni të drejtë kur thoni se nuk ka një konkluzion të përgjithshëm, i cili do të ishte si kryetitull i një gazete, por janë konkluzione në të gjithë raportin për të cilat mendoj se duhen lexuar me kujdes dhe shikoni ato aspekte se ku duhet bërë përmirësi e ndërmarrë veprime konkrete”, tha Stonestreet.

Ministri i Jashtëm Haxhinasto ka shprehur nevojën e një angazhimi gjithpërfshirës jo vetëm të politikës në reformën që synohet t’i bëhet Kodit Zgjedhor.

“Rekomandimet që janë vendosur në raport do të shërbejnë si një plan i rëndësishëm pune si një pikë reference për reformën zgjedhore. Kemi folur për nevojën për të nisur reformën zgjedhore, për procesin për metodologjinë se si duhet të realizohet ajo, si një proces i hapur gjithëpërfshirës”, tha Haxhinasto.

Topi: Reforma zgjedhore, domosdoshmeri

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot një ekip ekspertësh të misionit të OSBE/ODIHR-it, i cili po zhvillon një vizitë pune në vendin tonë, të drejtuar nga Kryetari i Misionit të Vëzhguesve, Jonathan Stonestreet.

Presidenti Topi vuri në dukje se klasa politike shqiptare dhe institucionet e larta të shtetit kanë lexuar me vëmendje rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i dhe janë bashkuar në përfundimin se kryerja e reformës zgjedhore është një domosdoshmëri dhe një proces për realizimin me sukses të së cilit duhet patjetër rifillimi sa më parë i punës.

“Ky fakt thekson edhe një herë nevojën imediate që palët e përfshira në këtë proces, partitë politike e të gjithë aktorët institucionalë, të gjejnë rrugët e komunikimit në mënyrë që të mundësohet një bashkëpunim konstruktiv dhe i përgjegjshëm për të rifituar kohën e humbur dhe për të finalizuar këtë reformë, e cila do i garantojë qytetarëve dhe votuesve shqiptarë zgjedhje të lira, të ndershme dhe sipas standardet demokratike”, u shpreh Presidenti i Republikës gjatë bisedës së zhvilluar me ekspertët e misionit të OSBE/ODIHR-it.

Nga ana e tij, zotin Jonathan Stonestreet falënderoi Presidentin Topi për këtë takim duke çmuar rolin ekuilibrues të Kreut të Shtetit si simbol i unitetit të popullit, dhe në vijim vuri në dukje nevojën e nisjes sa më parë nga puna të reformës zgjedhore ku OSBE/ODIHR-it do të ofrojë jo vetëm rekomandimet dhe vërejtjet e veta, por edhe ndihmesën e përvojën e vet të efektshme. Zoti Stonestreet theksoi se ky proces reformimi ligjor duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës, në mënyrë që gabimet dhe të metat e vëna re gjatë zgjedhjeve të shkuara, të mos përsëriten më duke rritur nivelin e demokracisë shqiptare dhe institucionit të zgjedhjeve.

Rama: Raporti ndikoi pozitivisht

Kryetari i opozitës u takua me kreun e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR Jonathan Stonestreet me të cilin bashkëbisedoi për më shumë se një orë në një takim ku ishin të pranishëm edhe deputetët Vasilika Hysi dhe Damian Gjiknuri.

“Raporti përfundimtar është gur themeli për futjen e zgjedhjeve në binarët e duhur. Ndryshe nga raporti i vitit 2009, këtë herë ndikoi pozitivisht në uljen e tensionit politik”, tha Rama.

Nga ana e tij, Stonestreet theksoi se duhen kryer rregullimet ligjore për zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij duhet të krijohen kushtet që të rritet besimi i njerëzve tek zgjedhjet.

Top Channel