Merkel: Eurozona të mbetet e bashkuar

13/09/2011 17:40

Kancelarja gjermane Angela Merkel është përpjekur të ulë shqetësimet mbi një “default” të mundshëm të Greqisë, duke deklaruar se blloku i eurozonës duhet të mbetet i bashkuar.

Kolapsi i Greqisë dhe dalja e saj nga zona e euros do të kishte një efekt domino, tha ajo për një radio gjermane.

Komentet e kancelares vijnë pas lajmeve se Gjermania po përgatitej për largimin e Greqisë nga eurozona.

Frika për një “default” shkaktoi një rënie të mprehtë në bursat ndërkombëtare ditën e hënë, me tregjet që mbetën të paqëndrueshme të martën.

Zonja Merkel tha për radion RBB se: “Prioriteti ynë kryesor është të shmangim një situatë të pakontrolluar, e cila nuk do të prekte vetëm Greqinë, por do të na rrezikonte të gjithë”.

“Unë e kam shprehur qartë qëndrimin tim, se cdo gjë duhet të bëhet për të mbajtur eurozonën të bashkuar politikisht. Sepse në të kundërt do të kemi shumë shpejt një efekt domino”, theksoi kancelarja.

Në fundjavë, ministri gjerman i Ekonomisë, Philipp Roesler tha se Greqisë do t’i duhej një “default i rregullt” për borxhet e saj, koment ky që coi në përmbysjen e cmimeve në tregjet ndërkombëtare ditën e hënë.

Tregjet evropiane të valutës fillimisht ranë edhe të martën, me francezen CAC, indeksi i të cilës ra me 1.8 për qind nga frika se bankat e vendit do të pësnonin humbje të mëdha nga “default”-i.

Gjithashtu, aksionet në BNP ranë 8 për qind, por u rekuperuan me 1 për qind pak pas mesditës. Në të njëjtin moment, Societe General ishte 6 për qind, ndërsa FTSE e Londrës 0.5% më lartë dhe Dax në Gjermani 1.5%.

Top Channel