Misioni i OSBE-së në Kosovë u bën thirrje institucioneve vendase për më shumë veprim në mbështetje të personave të riatdhesuar.

Raporti i OSBE-së, i cili është vazhdim i vlerësimit të mëparshëm të nëntorit të vitit 2008, ofron një varg rekomandimesh për institucionet e nivelit lokal dhe qendror, si dhe për komunitetin ndërkombëtar.

“Problemet kryesore në zbatimin e strategjisë së riintegrimit burojnë nga rrjedha e pamjaftueshme e informacionit dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, mungesa e aktiviteteve në terren dhe mirëkuptimi i nevojave të personave të riatdhesuar, por edhe nga mungesa e alokimit të fondeve brenda buxheteve komunale për të adresuar këto nevoja”, thuhet në dokument.

Dokumenti është i bazuar në aktivitetet e rregullta monitoruese të misionit të OSBE-së në Kosovë në fushën e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve.

Në mesin e zhvillimeve pozitive të vërejtura janë përpjekjet e intensifikuara të institucioneve qendrore për të ofruar këshilla për zyrtarët lokalë se si të zbatohet strategjia dhe si të aplikohet për asistencën në vlerë prej 3.4 milionë euro të fondit të riatdhesimit, si dhe themelimi i zyrave komunale për komunitete dhe kthim, të cilat do të shërbejnë si organ i fuqishëm koordinues në nivel lokal.

Sipas Komisariatit të Lartë për Refugjatë të OKB-së, UNHCR, që nga viti 2005 në Kosovë janë riatdhesuar mbi 20.000 persona.

Top Channel