Arvizu: Zbardhni vrasjen e gjyqtarit

14/09/2011 20:20

Ambasadori amerikan në vendin tonë e konsideroi të tmerrshëm atentatin në Vlorë ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

Nga qyteti i Ersekës, ku Arvizu është ndalur për të përuruar kopshtin numër 2 të këtij qyteti, ai e ka konsideruar vrasjen një ngjarje tragjike.

Skerdilajd Konomi ishte baba i dy fëmijëve dhe bashkëshort, ndaj la pas një familje. Dikush donte ta vriste dhe e vrau. Unë i bëj thirrje policisë dhe drejtësisë që të bashkëpunojnë për të arritur zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”, ka deklaruar Arvizu.

Pas inagurimit të kopshtit të financuar nga USAID në Ersekë, ambasadori Arvizu udhëtoi për në qytetin e Pogradecit, ku është pritur nga kryebashkiaku Artan Shkëmbi.

Pasi është njohur për punën që bën bashkia e këtij qyteti, është diskutuar për cështje që lidhen me decentralizimin e pushtetit vendor.

“Pas decentralizimit shpresoj që gjërat të bëhen në rrugën e duhur dhe që pavarësisht ngjyrimeve politike, bashkitë të përfitojnë nga grantet e qeverisë”, ka deklaruar Shkëmbi.

“Ne folëm së bashku me kryebashkiakun e Pogradecit për decentralizimin dhe dua të them se ai është një element kyc në këtë vend demokratik. Duhet të gjejmë një mënyrë për të ndihmuar krerët e bashkive dhe komunave pavarësisht ngjyrës që mund të këtë flamuri, i kuq apo blu”, është shprehur pas tij ambasadori Arvizu.

“Ata po përpiqen t’iu shërbejnë qytetarëve në një farë mënyre dhe kjo vlën për t’u përgëzuar. Ështe detyrë e qeverisë qendrore të mbështesë pushtetin lokal. Kur të shkoj në kryeqytet do të flas me kryeministrin dhe jam i sigurt se ai do të mbështesë transparencën dhe decentralizimin”, ka vijuar ai.

Top Channel