Ambasadori i ri amerikan në Maqedoni, Paul Wohlers deklaroi të mërkurën se shpreson në arritjen e ndonjë progresi në kontestin e emrit.

Por ai paralajmëroi se procesi do të zgjasë për një kohë shumë të gjatë dhe se do të ishte shumë optimiste nëse përparimi do të arrihej në ditët ose javët e ardhshme.

Wohlers, i cili mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga sekretariati për cështjet evropiane, kushtuar sfidave dhe perspektivave të sektorit mediatik në Maqedoni, tha se para ardhjes së tij në Shkup është takuar me ndërmjetësin e kontestit, Metju Nimic.

“Fola me ambasadorin Nimic para se të vija këtu. Ai mbetet i përkushtuar në këtë proces dhe vazhdon të jetë optimist se do të ketë lëvizje, edhe pse punon prej një kohe të gjatë për të”, deklaroi Wohlers.

“Megjithatë, nuk dëshiroj të parashikoj se cfarë do të ndodhë, pasi nuk jam drejtpërdrejt i përfshirë në proces”, u shpreh ai.

Ambasadori mohoi zërat se SHBA po ushtrojnë presion ndaj palëve të përfshira në kontest për zgjidhjen e cështjes.

“Nuk dua të them se po kryejmë presion. Po përpiqemi të këshillojmë, të ndihmojmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, nënvizoi Wohlers.

Ai përsëriti qëndrimin e njohur të Uashingtonit se SHBA mund të ndihmojnë në tejkalimin e ngërcit, por janë Maqedonia dhe Greqia ato që duhet të sjellin zgjidhjen.

Top Channel