Një vështrim mbi tranzicionin

14/09/2011 20:25

Poeti dhe shkrimtari Daut Gumeni ka promovuar librin e tij “Tranzicion apo Trashëgimi”, një dëshmi personale për demokracinë e brishtë shqiptare gjatë 20 viteve postkomuniste.

Vetë autori u shpreh me nota pesimiste për atë që e quajti një vrapim në vendnumëro i Shqipërisë, e kjo sic tha ai, është shkak i politikave të dështuara e më së shumti personale.

“Në të gjithë botën, edhe pushtetarët më të sëmurë, i kanë thënë atdheut ‘lum që të kemi’. Vetëm pushtetarët e dikurshëm thoshin ‘lum moj Shqipëri që na ke’. Këta pushtetarë janë trashëguar”, u shpreh Gumeni.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet, Edi Rama e cilësoi autorin një njeri të sakrificave të mëdha të luftës mes diktaturës komuniste, vite të gjata të së cilës i kaloi në burgun e Burrelit, e më pas një luftë tjetër asaj të një tranzicioni që nuk po merr fund edhe sot.

“Pavarësisht se sa shpesh takohemi me Dautin, unë e konsideroj atë një nga udhëheqësit e opozitës morale shqiptare. Një nga shembujt e paktë të atyre që e konsiderojnë veten intelektualë dhe që kur shihen në pasqyrë nuk skuqen nga turpi”, tha Rama.

Top Channel