Cameron dhe Sarkozy inkurajojnë libianët

15/09/2011 00:00

Kryeministri britanik David Cameron dhe presidenti francez Nicolas
Sarkozy ndodhen në Libi, si zyrtarët e parë perëndimorë që vizitojnë
vendin që nga rënia e Muammar Gaddafi-t.

Ata u takuan me liderët e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit në Tripoli dhe do të fluturojnë për në Bengazi, ku do të mbajnë një fjalim në Sheshin e Lirisë.

Shefi i KKT-së, Mustafa Abdul Jalil falenderoi dy liderët për “qëndrimin guximtar” që morën gjatë kryengritjes në Libi.

“Ata na shprehën mbështetje politike, ekonomike dhe ushtarake, duke ndihmuar rebelët në konsolidimin e pozicionit të tyre. Ne i falenderojmë Britaninë dhe Francën për këtë”, deklaroi Jalil në një konferencë për shtyp.

Duke iu përgjigjur mikpritjes, dy liderët perëndimorë vlerësuan guximin e popullit libian dhe bënë thirrje për mbështetjen e synimit të KKT-së për krijimin e një shteti demokratik dhe paqësor.

“Fakti që rrugët janë të mbushura me makina, që uji rrjedh dhe që spitalet funksionojnë është shumë mbreslënës”, deklaroi Cameron.

“Por Gaddafi është ende në qarkullim. Ne do të vazhdojmë misionin e NATO-s derisa civilët të jenë të sigurtë dhe e gjithë kjo të mbarojë. Ne do t’ju ndihmojmë të gjeni Gaddafi-n dhe t’ia dorëzoni atë drejtësisë, si dhe të nxirrni minat dhe raketat tokë-ajër jashtë Libisë”, shtoi kryeministri.

Ndërsa Sarkozy u bëri thirrje libianëve që të shmangin hakmarrjet dhe ndëshkimet, duke u kërkuar atyre që prioritet të kenë unitetin dhe pajtimin.

“Franca është e përqendruar tek konsolidimi i pozicionit të KKT-së dhe tek bindja e besnikëve të mbetur që të ndryshojnë mendje dhe jo tek marrëveshjet ekonomike apo kontratat për rindërtimin e vendit”, deklaroi Sarkozy.

Të mërkurën lideri Abdul Jalil kërkoi furnizime me armë për rebelët, në mënyrë që ata të marrin nën kontroll zonat e mbetura nën regjimin e Muammar Gaddafi-t.

Ky i fundit, sipas kreut të KKT-së, ndodhet në jug të Libisë dhe me besnikët e mbetur po komploton hakmarrjen e tij.

Top Channel