Zyrtarë të Komunës së Mitrovicës kanë informacione se në veri lëvizin
lirshëm serbë të armatosur, të cilët po përhapin shqetësim mes njerëzve.

Sipas Telegraf, përfaqësuesit e strukturave politike dhe atyre të sigurisë në Mitrovicë në takimin e Komitetit lokal për vlerësimin e sigurisë publike vlerësuan se gjendja në veri vazhdon të jetë e qetë, por shumë e tensionuar. Në këtë takim u theksua problemi i banorëve, sidomos atyre joserbë që kanë mbetur të izoluar.

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri kërkoi nga strukturat e sigurisë që sa më shpejt të marrin masa për hapjen e rrugëve dhe eliminimin e barrikadave që janë vendosur në rrugët kryesore të veriut. “Nuk duhet lejuar një grup ekstremistësh që të sfidojnë në mënyrë kaq të rëndë rendin dhe ligjin”.

Policia e Kosovës me mbështetje të EULEX-it dhe KFOR-it është fokusuar në shtimin e masave të sigurisë në lagjet me popullatë të përzier në lagjet dhe fshatrat e veriut”.

De Marnhac dhe Dell në veri: Të largohen barrikadat

Pikat 1 dhe 31 në veri të Kosovës patën vizitorë të vecantë pasditen e së hënës. Shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe ambasadori amerikan Christopherer Dell shkuan në Jarinje dhe Bërnjak.

Në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga EULEX thuhet se, Marnhac u takua me personelin e EULEX-it, KFOR-it dhe Doganave e Policisë së Kosovës.

“Lavdëroj përkushtimin dhe punën e tyre nën këto rrethana sfiduese”, u shpreh shefi i misionit evropian për vendosjen e rendit dhe ligjit.

Sipas njoftimit, të dy pikat kufitare janë gati të vihen në funksionim të plotë, por barrikadat që janë ngritur në rrugët aty pranë po pengojnë hapjen e tyre. De Marnhac bëri thirrje që këto barrikada të largohen.

“Kjo i dëmton njerëzit. Ne e bëmë këtë lëvizje për të përmirësuar qarkullimin e mallrave dhe mundësinë e njerëzve për t’i patur ato dhe mendoj se cdo hap pengues është kundër popullatës”, tha shefi i EULEX-it në veri.

Serbia thirrje rezervistëve

Ministria serbe e Mbrojtjes dhe Armata e Serbisë, në ditët e fundit u ka dërguar një letër rezervistëve të luftës që të jenë në gatishmëri për luftë.

Lajmin e bën të ditur selia e Komitetit të Helsinkit në Beograd, që i referohet një mashkulli serb, i cili e ka vënë në dijeni institucionin përmes letrës së marrë.

Letra në fjalë i kërkon këtij personi që të jetë në gatishmëri për gjendje lufte për më 5 tetor 1-22, ka deklaruar drejtuesja e KH, Sonja Biserko, për portalin serb “Danas”.

Sipas saj, letra kërkon që rezervistët të jenë të gatshëm të vendosen në qytetin Pozharevc, në kuadër të tensioneve të krijuara në kufirin Kosovë-Serbi.

Por personi që ka denoncuar letrën ka deklaruar gjithashtu se nuk ka ndërmend t’u bashkohet njësive rezerviste dhe as të mbajë armë në cdo lloj situate.

Rreziku për tension në veri, i pranishëm

Policia e Kosovës e konsideron të qetë situatën në veri, megjithatë vlerëson se rreziku për tension është i pranishëm.

Zëdhënësi Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha për Radio Kosovën se të hënën nuk është shënuar asnjë incident, ndërsa Policia bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in e ka situatën nën kontroll.

Edhe një zëdhënës i forcës paqeruajtëse në Kosovë, Ralf Adamec tha se gjendja me gjithë tensionet mbetet e qetë.

“Ne nuk do të tregojmë agresivitet dhe do t’u japim kohë negociatave që do t’i zhvillojnë përfaqësuesit politikë dhe ne shpresojmë që ata po e bëjnë një gjë të tillë”, thotë zëdhënësi i KFOR-it.

Njerëzit që po qëndrojnë pranë barrikadave nëpër rrugë dhe po protestojnë kanë qenë paqësorë, ka thënë Adamec, ndaj, kjo sipas tij nënkupton që duhet t’i jepet kohë politikës që të zgjidhë këtë problem.

PDIU: Mbështesim operacionin në veri

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet me anë të një deklaratë publikuar të hënën mbështet vendosjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës në veri të vendit.

PDIU e konsideron si arritje të jashtëzakonshme vendosjen e policëve dhe doganierëve të Kosovës në pikat kufitare në veri për dy arsye të rëndësishme.

“Ky veprim është bërë në koordinim me praninë e bashkësisë perëndimore, të vendosur në Kosovë, KFOR dhe EULEX. Bashkëveprimi në çdo hap me praninë ndërkombëtare e përforcon aleancën e popullit të Kosovës me Perëndimin, diçka që është element thelbësor për zhvillimin e Kosovës dhe pranimin e saj përfundimtar në bashkësinë e shteteve”, thuhet në deklaratë.

Serbët, të vendosur

Serbët  e veriut të Kosovës duket se janë të vendosur që të mos lëvizin as një centimeter nga barrikadat që kanë bllokuar të gjitha rrugët që të çojnë në veri.

Agjencitë e lajmeve kanë raportuar se KFOR-i gjerman tashmë është duke u angazhuar që të sjellë në Kosovë dy autoblinda të cilët janë të specializuar për heqjen e barrikadave nga rrugët. Mirëpo ky lajm ende nuk është konfirmuar.

Shefi i delegacionit serb në bisedimet, Borko Stefanovic, i cili po viziton shpesh veriun këto ditë, citohet të ketë deklaruar se dialogu është mënyra e vetme që të zgjidhet kriza.

“Kërkojmë mundësinë që sa më parë të përgjigjet ndaj kërkesës sonë për të diskutuar rreth pikave kalimtare në Jarinjë dhe Bërnjak”, ka thënë ai.

Ndërkohë, kryenegociatorja kosovare në bisedime, Edita Tahiri e ka quajtur “politikë don-kishoteske” atë që bën homologu i saj serb, Borko Stefanovic.

Në anën tjetër, sekretari shtetëror për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic ka deklaruar se Beogradi nuk guxon dhe nuk mund të jetë për politikën deri në Ibër dhe prej Ibrit, por të jetë consistent në tërë territorin e Kosovës.

Ivanovic është shprehur i habitur se pse janë aq pasivë serbët që jetojnë në jug të Kosovës. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që ata qartë dhe zëshëm të deklarohen dhe të tregojnë se çka mendojnë.  

Teksa edhe gjatë së dielës në veri ka qendruar ministri serb për Kosovën Goran Bogdanovic, të tilla vizita janë ilegale për Ministrin e  Brendshëm, Bajram Rexhepi dhe mund të cojnë deri në arrestime.

“Personat që hyjnë nëpërmjet rrugëve ilegalë janë ilegalë në Kosovë. Ne nuk kemi lëshuar urdhërarrest, por nëse takohemi me ta, mund të arrestohen. Nuk kemi synim të posacëm që të shkojmë t’i arrestojmë për ua kemi bërë me dije që kanë hyrë në mënyrë ilegale dhe mund të jenë objekt i arrestimit”, deklaron ministri Rexhepi.  

Megjithëse situata e sigurisë gjatë ditës së diel ishte e qetë, gjatë gjithë kohës monitorimi i situatës bëhej nga helikopterët e KFOR-it.  Po kështu forcat e sigurisë shiheshin në çdo cep të Mitrovicës.

Top Channel