SHBA, hiqet politika “mos pyet, mos trego”

20/09/2011 00:00

Politika që ndalonte deklarimin e homoseksualitetit në ushtrinë e
Shteteve të Bashkuara është shfuqizuar pas pothuajse dy dekadash.

Anulimi i “mos pyet, mos trego” do të thotë se rekrutët tani mund të zbulojnë se janë gay pa pasur frikë nga hetimi apo shkarkimi i tyre.

Vendimi në fjalë, i pagëzuar si “Dita e Shfuqizimit”, ka bërë që në mbarë vendin të organizohen festa, për të shënuar fitoren e të drejtave të homoseksualëve.

Kongresi amerikan votoi vitin e kaluar shfuqizimin e ligjit, që u prezantua për herë të parë në vitin 1993, nën administratën e Bill Clinton.

Në bazë të kësaj politike, personave gay u lejohej të shërbenin në ushtri përsa kohë nuk tregonin hapur orientimet e tyre seksuale, ndërkohë që komandantëve nuk u lejohej të pyesnin.

Shefi i zyrës së shtypit pranë Pentagonit, George Little u tha gazetarëve se Departamenti i Mbrojtjes ishte përgatitur plotësisht për këtë shfuqizim dhe se 97 për qind e personelit ushtarak i është nënshtruar trajnimit për ligjin e ri.

Forcat e armatosura kanë pranuar aplikime nga shumë rekrutë gay gjatë javëve të fundit dhe tani me ligjin e ri do të fillojë shqyrtimi i kërkesës së tyre.

SHBA, gjykata urdhëroi heqjen e rregullit anti-gay

Gjykata e Apelit në Shtetet e Bashkuara urdhëroi administratën Obama të heqë sa më parë rregullin që ndalon homoseksualët të shërbejnë në ushtrinë amerikane duke shprehur haptazi orientimin e tyre seksual.

Një panel prej 3 gjyqtarësh, arsyetuan vendimin e tyre duke thënë se ai binte ndesh me vendimin e administratës Obama të dhjetorit të 2010-s, ku thuhet se është jokushtetuese që homoseksualët të trajtohen ndryshe nga ligji.

Në një vendim të mëhershëm, kjo gjykatë dha një vendim i cili i lejoi administratës Obama të përforcone rregullin “mos pyet, mos trego” (don’t ask, don’t tell) i njohur ndryshe si DADT.

Por vete presidenti amerikan apeloi këtë vendim duke kërkuar që homoseksualët të lejoheshin të kryenin shërbimin ushtarak dhe të shprehnin haptazi orientimin e tyre seksual.

Top Channel