Bahrein, 15 vjet burg 20 mjekëve

29/09/2011 00:00

Një gjykatë në Bahrein ka dënuar me 15 vjet burg 20 mjekë të akuzuar për
komplot, me qëllim rrëzimin e qeverisë, duke mjekuar protestuesit.

Mjekët ishin liruar kundrejt garancisë pas mbajtjes së një seri grevash. Ata mjekuan personat e plagosur në protestat e zhvilluara muaj më parë për më shumë të drejta për shumicën shiite në mbretërinë e qeverisur nga sunitët.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se dënimi ndaj mjekëve është tërësisht i papritur. Ata shpresonin se lirimi i mjekëve kundrejt garancisë financiare ishte një shenjë se qeveria po zbuste qëndrimin e saj.

Por mjekët dhe infermierët janë dënuar nga 5 deri në 15 vjet burg, për akuza që përfshijnë nxitje të dhunës për rrëzimin e qeverisë dhe provokim të konflikteve sektare.

Aktivistët deklarojnë se mjekët po bënin vetëm detyrën e tyre, por ata akuzohen gjithashtu se kanë refuzuar të mjekojnë policët e lënduar.

Ndërkohë, familjet e mjekëve pretendojnë se ata janë torturuar në mënyrë që të bënin deklarata të rreme.

Ndërsa në një cështje tjetër, gjykata e posacme për sigurinë dënoi një protestues me vdekje për vrasjen e një polici.

Një valë protestash, kryesisht të qeta, nisën në vend në muajin shkurt dhe vijuan edhe në mars, por u shtypën me forcë nga qeveria, e cila thirri për ndihmë edhe trupat nga vendet fqinje të Gjirit.

Ditën e mërkurë, gjykata e sigurisë dha dënimin me burgim të përjetshëm për tetë aktivistë shiitë, të dënuar për rolin e tyre në protesta, si dhe 13 aktivistë të tjerë me 15 vjet burg.

Top Channel