Strauss Kahn, përballë Banon

29/09/2011 00:00

Ish-shefi i FMN-së, Dominique Strauss Kahn dhe shkrimtarja franceze që e
akuzon atë për tentativë dhunimi, do të përballen me njëri-tjetrin.

Policia po heton denoncimin e Tristane Banon, para se prokurorët të vendosin nëse të ngrenë akuzë.

Zoti Strauss Kahn thuhet se ka pranuar se ka bërë “një avancim” drejt zonjës Banon, por mohon cdo lloj dhune dhe po përgatit padinë për shpifje.

Shkrimtarja e ngriti cështjen në fjalë në qershor, kur ish-kreu i FMN-së ndodhej nën akuzë për një dhunim të kryer në Nju Jork, akuzë e cila më pas u rrëzua.

Konfrontimi do të bëhet në stacionin e policisë së Parisit, pa praninë e avokatëve, por me atë të policëve.

Përballjet në polici bëhen kur dy persona të së njëjtës cështje japin versione të ndryshme për ngjarjen. Mësohet se zoti Kahn ka mbërritur tashmë në polici.

Zonja Banon, 32 vjec, ka deklaruar se është gati të përballet me agresorin e saj. “Dua që ai të jetë përballë meje, në mënyrë që të më shohë në sy dhe të më thotë se unë e kam imagjinuar ngjarjen”, ka thënë Banon.

Ajo pretendon se është detyruar të luftojë “me grushta e me shkelma” me zotin Kahn, kur ai tentoi t’i hiqte me forcë rrobat gjatë në interviste në vitin 2003, në një apartament të Parisit.

Në fillim të muajit, më datë 4 shtator, ish-kreu i FMN u kthye në Francë nga Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që 10 ditë më parë ai dha intervistën e parë për mediat, ku mohoi akuzat lidhur me ngjarjen e Nju Jorkut, por pranoi gabimin.

Top Channel