Karrikja e mbuluar me peshqirë, në traditën kosovare tregon mort. Vdekja që ka rënë në pragun e kësaj shtëpie ka tronditur mbarë opinionin kosovar.

Bëhet fjalë për vdekjen e dëshmitarit “X”, i cili u gjet i vdekur në shtetin gjerman.

Agim Zogaj identiteti i të cilët u bë i ditur pas vdekjes, ishte njëri ndër dëshmitarët kyç në proçesin kundër Fatmir Limajt dhe nëntë ish-ushtarëve të UÇK-së të cilët po akuzohen për krime lufte. Në mars të këtij viti Agimi, ishte marr nga zyrtarët e EULEX.

Nga ajo kohe e deri në ditën e vdekjes, vendndodhja e tij ishte e panjohur për të gjithë, madje edhe për bashkëshorten dhe katër fëmijët.

Teksa, oda e familjes ishte hapur për pritjen e njerëzve për ngushëllime, familjarët ende, nuk dinë se kur do t’ju sillet trupi i Agmit.

I ati i tij, Idrizi, në një intervistë për TCH këmbëngul se, Agmi nuk ishte dëshmitari X por, e detyruan të bëhej. Ndërkohë, tregon se sa herë Agimi iu kishte shpëtuar atentateve.

“Ky nuk ka qenë dëshmitari ‘X’, por e kanë detyruar ta bënte”, është shprehur Idriz Zogaj, babai i dëshmitarit ‘X’.

Ai thotë se, për herë të fundit me Agimin kishte folur në ditën e fiter-Bajramit. Xha Idrizi dyshon se djali i tij nuk ka vdekur nga shkaqe natyrale dhe nuk është vetëvrarë. Ndërkohë, akuzon EULEX-in për vrasjen e të birit.

“Për herë të fundit kam folur për Bajram… Ka 11 muaj që nuk e kam ditur ku kam djalin”, theksoi Idrizi.

Zyrtarët e policisë gjermane të mërkurën mbrëma kanë konfirmuar se dëshmitari X është gjetur i vdekur në qytetin e Duisburgut dhe se ai ka bërë vetëvrasje, duke varur veten me litar.

Dëshmitari “X” prej shumë kohësh ruhej nga EULEX-i. Dyshimin për krime lufte ndaj Fatmir Limajt, ky mision e ka bazuar kryesisht në deklaratën e dëshmitarit bashkëpunues “X” dhe provat që ka ofruar ai.

Dëshmitari “X” kishte dhënë një sërë deklaratash hetuesve në njësinë e hetimeve të Krimeve të Luftës në EULEX.

Top Channel