Familja Konomi,letër Presidentit

30/09/2011 00:00

Familjarët e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili u ekzekutua në mënyrë
makrabre në qendër të Vlorës, i kanë drejtuar të premten një letër të
hapur kreut të vendit Bamir Topi, ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi
dhe numrit dy të KLD-së, Kreshnik Spahiu ku shprehin shqetësimin për
rrezikun që u kanoset për jetën, përsa kohë që autorët e krimit nuk janë
gjetur dhe cështja e pronave mbetet ende e pazgjidhur.

“Frika jonë është edhe më e madhe tashmë që ndodhemi në pragun e një gjyqi i cili pritet të zhvillohet të hënën, më datë 3 tetor. Pa dashur të hamendësojmë asgjë, kërkojmë që ju të ushtroni të gjithë influencën tuaj që ky proces të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin. Familja jonë kërkon jo vetën mbrojtjen e pjesëtarëve tanë, por edhe të trupit gjykues ndaj presioneve të mundshme“, thuhet në letër.

Familjarët e gjyqtarit Konomi kërkojnë gjetjen e fajtorëve të vrasjes, si dhe finalizim të proceseve të pronësisë, pasi kështu jo vetëm do të lehtësohej dhimbja për humbjen e madhe, por edhe shteti do t’i japë një shembull mirëfunksionimit të tij.

Pavarësisht krimit të tmerrshëm që ndodhi dhe kërcënimit që qëndron pezull mbi çështjen e pronave, familja Konomi është e vendosur të ndjekë çdo rrugë ligjore për të kërkuar të drejtën e saj, pavarësisht çdo akti kriminal që synon të pengojë drejtësinë.

Skerdilajd Konomi, gjyqtar i Shkallës së Parë në Gjykatën e Vlorës u vra me 9 shtator nga një shpërthim eksplozivi në bulevardin kryesor të qytetit të Vlores.

33-vjecari,i martuar, baba i dy femijeve mesohet se ishte nisur per te shkuar ne pune me mjetin e tij kur ndodhi shperthimi brenda ne makine ne ecje e siper. Ne momentin e shperthimit prane tij nuk ka patur mjete te tjera. Shperthimi i forte ka shokuar kalimtaret qe kane pare ne mes te bulevardit nje automjet qe vazhdonte te ecte per inerci pasi shpertheu. Disa prej tyre vrapuan per te nxjerre nga makina drejtuesin. Per shkak te demtimit te kembeve qe kishin ngecur ne pjeset e demtuara te mjetit, trupi nuk u be e mundur te largohej menjehere nga mjeti, i cili pak sekonda me pas u perfshi nga flaket.

Spahiu: Vrasja e Konomit, një mesazh i qartë

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu pati deklaruar se vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ishte një mesazh i qartë që kërkohej të jepej nga ekzekutorët.

Ai theksoi se Konomi u vra për cilësinë e tij si gjyqtar dhe denoncoi fenomenin e mosndëshkueshmërisë ndaj dhunuesve të anëtarëve të drejtësisë.

Spahiu ka theksuar se për shumë krime në Shqipëri dihen autorët dhe nuk thuhen asnjëherë, duke bërë përgjegjës për situatën e krijuar të gjithë mekanizmin shtetëror.

“Në çdo lloj rasti edhe sikur të ketë pasur rrethana personale, shumë qartë ai u vra për cilësitë e tija si gjyqtar. Nuk mbaj mend që të ketë ndodhur ndonjëherë një krim i tillë mafioz. Edhe në 1997 kur të gjitha burgjet u hapën, asnjë i burgosur nuk kreu një akt mafioz me këto përmasa ndaj prokurorëve që i kishin dënuar. Nuk mund të lejojmë që Shqipëria të shkojë në të njëjtat rrethana të Palermos të 50 viteve të shkuara. Ishte një sinjal i pastër në mënyrën se si u ekzekutua. Konomi ka qenë një nga gjyqtarët më të mirë, të ndershëm. Në sistemit gjyqësor shqiptar ndonëse ka të korruptuar ka edhe njerëz të ndershëm, siç ishte edhe Skerdilajdi”, deklaroi ai.

Top Channel