Tiranë, nis zhbllokimi i hapësirave publike

01/10/2011 12:05

Ka nisur në Tiranë aksioni për tregtarët që s’kanë liruar hapësirat publike sipas afatit të vendosur nga bashkia.

Policia bashkiake ka deklaruar se do të pastrohen trotuarët nga subjektet që s’kanë paguar taksat për hapësirat e zëna.

“Aksioni do të zgjasë një javë dhe do të kryhet kryesisht në fundjavë. Ai nisi nga njësitë bashkiake numër 1 dhe 2 dhe më pas do zgjerohet në tërë Tiranën”, ka deklaruar policia bashkiake.

Të djelën e kaluar bashkia e Tiranës paralajmëroi të gjithë personat që tregtojnë produkte të ndryshme në rrugë, por edhe baret që kanë vendosur tavolina në trotuare, se do të marrë masa nëse deri më datën 1 tetor nuk do të lironin këto hapësira publike.

“Bashkia e Tiranës është e vendosur të zbatojë ligjin. Paralajmërojmë tregtarët ambulantë të largohen nga trotuarët, si dhe lokalet që i kanë zënë ato me tavolinat dhe karriget e tyre”, theksoi zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha.

Në kuadër të operacioneve të saj, bashkia e kryeqytetit mësyu dy javë më parë në parkun “Rinia” për të liruar ambientet e zëna sipas saj në mënyrë të paligjshme për parking nga lokalet.

Madje, drejtori i policisë bashkiake debatoi me menaxherët e kompleksit “Tajvan” që gjendet në zonën e parkut. Ai tha se do të lirohen të gjitha hapësirat e zëna në mënyrë të paligjshme.

Top Channel