Bulqiza, toka ku bëhet pazar me vdekjen

03/10/2011 20:35

Bulqiza është një tokë e vuajtur, por edhe një tokë e vdekjes. Vit pas viti, incidentet me pasojë vdekjen në galeritë e nëndheshme vetëm sa shtohen, ndërsa me qindra burra duhet të fitojnë bukën e përditshme të familjes së tyre përmes kushteve mesjetare të punës.

Kamerat e “Shqipërisë Tjetër”, reportazhit të përjavshëm pas edicionit të lajmeve të ditës së hënë vizituan vatrën e shumë vuajtjeve që nuk kanë kurrë fund.

Ajo që pasqyruan kamerat ishte një një histori padrejtësie, e mbytur mes vuajtjeve, luftës së përditshme, ankthit e shpreses, jetës dhe vdekjes që lëkundet mes tuneleve të ngushtë nga ku sigurohet mbijetesa.

Sami Doga u nda nga jeta në vitin 2007, teksa po punonte 1 mijë metra nën tokë, gjatë përgatitjes së një tuneli për kërkimin e kromit.

4 vjet më pas, asgjë nuk është zbardhur dhe askush nuk është bërë përgjegjës për këtë ngjarje. Gjithçka u mbyll pa përgjegjë, pa asnjë dëshmitar veç Samiut, në dukje fajtori i vetëm.

”Drejtësia nuk ekziston për ne. Unë kam pak që e kam marrë vesh se ajo shtresë dheu që vrau bashkëshortin tim ka rrëshqitur në shumë raste. Kur ndodhi ngjarja, mua më thanë se ai u godit nga një gur fare i vogël”.

I njëjti vit i përgjakshëm, 2007-a, 23 vjet punë si minator nuk do të shpëtonin as Zaim Hysën, babain e tre femijëve të vegjël. Ashtu si Doga, edhe Hysa u shpall “fajtor” për vdekjen e tij në nivelin e 14 në thellësi. Si shpërblim, familjes iu lidh një pension prej 10 mijë lekësh, i pamjaftueshëm për të paguar qoftë faturat e ujit dhe energjisë.

”Ku është drejtësia. Kanë kaluar katër vjet dhe nuk ka asnjë përgjegjës për këto ngjarje. Drejtësia do të ishte të ishte zbuluar atëherë e vërteta, jo sot. Në katër vjet, mungesa e arsyeve i ka kushtuar jetën edhe minatorëve të tjerë”, shprehet me shpirt të helmatisur Faria, bashkëshortja e minatorit të dytë të ndjerë.

”Bulqizën e ka mbuluar mafia. Gjithçka këtu është një katastrofë, është njësoj sikur të kthehesh e të jetosh në mesjetë”.

Vdekja në Bulqizë shitet e blihet si një robë e pavlerë nga drejtësia apo si një zgjedhje e detyruar edhe nga familjet e kësaj qyteze. Nga viti 1990 e deri më sot, asnjë nuk të thotë numrin e saktë, janë me dhjetra e dhjetra minatorët që kanë humbur jetën ne tunelet e thella të kompanive konçesionare.

Në të gjitha rastet, faji ka mbetur mbi minatorët, asnjë i dënuar nga drejtësia, as edhe një i vetem. Pasi, kur familjet refuzojnë të pranojnë paratë e ofruara, atëherë ato hidhen nën tryezat e gjyqtarëve e prokurorëve, të gatshëm për të mbyllur në sirtaret e tyre drejtësinë.

Të mbetur pa asnjë perkrahje e të ardhura minimale, të pashpresë se drejtësia mund të vihet në vend, familjet e minatorëve janë të detyruara shpesh të pranojnë ato vetë, zarfet e bosëve të rinj bulqizake apo shtetarëve të fshehur pas tyre deri në Tiranë.

Braktisur e harruar nga shteti, ata kanë vetëm këtë rrugëdalje për të vazhduar të jetojnë, te shesin vdekjen e njeriut të tyre e të heshtin përrbalëe humbjes së tij.

”Kështu ka ndodhur gjithmonë këtu. Kryetari i firmës shkon tek familja e të vdekurit, i jep 5 apo 10 milionë lekë të vjetra për t’u mbyllur gojën dhe çështja mbyllet”, shprehet Dilaver Perkoxhi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve.

Sigurisht, çmimi nuk është i njëjtë, ai varion në bazë të moshës së minatorit. Sa me i ri të jetë, aq më e madhe është shuma e ofruar. Bulqiza e mjeruar dergjet e këputur, e shqyer copash mes babëzisë së padronëve të rinj e hijeve të shtetarëve pas tyre.

 » Vdekja këtu blihet. Bulqizën e zotëron leku i bandave të kromit dhe unë majde nuk i them më krom, por drogë », vazhdon Perkoxhi.

Këtë biznes të vdekurish të kthyer në sistem e njohin të gjithë bulqizakët, por askush nuk pranon të flasë. Familjet heshtin, banorët heshtin, minatorët heshtin, drejtesia hesht, duke mbështjellë gjithçka me ndienjën e përmortshme të frikës e terrorit.

Të shndërruar në skllever të vertetë të kohëve moderne, minatoret e Bulqizës marrin sërisht në të gdhirë tatëpjetën që të çon në galeritë e vdekjes, çdo ditë si të ishte e fundit, çdo ditë me sytë drejtuar qiellit, me shpresën se vdekja do t’i kursejë edhe sot.

Çdo ditë, në galeritë e errta mes jetes e vdekjes e shpirtrave të minatorëve të vrarë që enden nëntokë pa gjetur prehje . Çdo ditë, si e vetmja ditë që mund të mbulohet, por jo të harrohet. Kjo është Bulqiza, vendi ku edhe vdekja ka një çmim.

Top Channel