Franca kërcënon qeverinë siriane

04/10/2011 16:40

Franca paralajmëroi sot Sirinë për “pasoja të padëshiruara”, nëse do të vazhdojë të pengojë mbajtjen e protestave demokratike kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

Reagimi erdhi pasi mediat franceze transmetuan një sekuencë ku një grup të rinjsh sulmoi dhe prishi një manifestim paqësor të disa qindra emigrantëve në Paris. Grupi i agresorëve besohet të ketë lidhje me Shërbimet e Fshehta Siriane.

“Amnesty International” ka kritikuar vazhdimisht në raportet e saj sjelljen e Damaskut dhe fushatat e tij të frikësimit ndaj qytetarëve, brenda apo jashtë territorit të vendit.

Pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar mbi regjimin e al-Assadit, Rusia vazhdon të mbetet një aleate e afërt me regjimin.

Moska informoi më parë gjatë ditës se ka ndërmend të vendosë veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kundër një rezolute që dënon sjelljen e Sirisë në shtypjen e protestave demokratike në vend.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, më shumë se 2 700 persona janë vrarë nga forcat qeveritare gjatë muajve të fundit, pas revoltave që përfshinë vendin gjatë “Pranverës Arabe”.

Top Channel