Korce, vllehët e pakënaqur: U deklaruam grekë

05/10/2011 16:55

Pjestare te komunitetit vlleh ne Korcë tregojne se kane kerkuar
fotokopje te deklarimeve te tyre per censusin per te vertetuar se jane
deklaruar greke. Disa prej tyre shprehin edhe pakenaqesine qe keto
dokumenta nuk u jane dhene.

Nje nga akuzat e bera nga Aleanca Kuqezi ishte detyrimi i njerezve per te vertetuar se jane deklaruar greke dhe per kete u eshte kerkuar te paraqesin fotokopjet e deklarimeve. Por ne shumicen e rasteve njerezit kane hasur ne refuzimin e regjistruesve per te dorezuar dokumentat.

Konsullata greke do kopjen e formularit

Procesi i regjistrimit të popullsisë në rajonin juglindor të Korçës, që në hapat e para të tij, ka filluar me disa raste të manipulimit të deklaratave për kombësinë, të cilat ende nuk janë verifikuar zyrtarisht, por janë ngritur si problem që cenon ecurinë e rregullt të këtij procesi.

Pas nisjes së punës për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave, anketuesit e qytetit të Korçës kanë hasur në kërkesa të cilat hedhin hije dyshimi mbi spekulimet për deklarimin e kombësisë. Disa banorë të Korçës mësohet se, ndërsa kanë deklaruar kombësinë greke para anketuesve, kanë kërkuar prej këtyre të fundit edhe një kopje të formularit, në atë pjesë të dokumentit që bën fjalë për deklarimin e kombësisë.

Nga ana e anketuesve, ben te ditur “Shqip” ka ardhur sinjalizimi se këta qytetarë janë shprehur se kopjen e dokumentit për deklarimin e kombësisë e kërkojnë për ta paraqitur pranë Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë në Korçë, apo edhe pranë organizmave që merren me mbrojtjen e interesave të minoritetit grek. Fenomeni nuk mohohet nga autoritetet zyrtare që janë përgjegjëse për regjistrimin në Korçë, por një konstatimi i tillë edhe nuk konfirmohet zyrtarisht prej tyre.

Sami Meçollari nga zyra e INSTAT-it në Qarkun e Korçës, si një prej personave përgjegjës për këtë proces, sqaron se dokumenti i vetëdeklarimit të kombësisë dhe fesë nuk njihet si dokument zyrtar dhe për këtë ai nuk ka asnjë vlerë nëse kopjohet. Megjithëse ligjërisht zyrtari i INSTAT-it ka të drejtë, fakti që censusi po kontrollohet nga struktura të tjera të paautorizuara, aq më tepër të një shteti të huaj, e komprometon procesin, duke vërtetuar kështu paralajmërimet se vetëdeklarimi i kombësisë do të sillte deformimin artificial të raporteve mes etnive. Të mos harrojmë se konsullata që kërkon verifikim për ata që deklarohen grekë, drejtohet ende nga Theodhoros Ikonomu, i cili një vit më parë i deklaronte arumunët grekë dhe i ftonte të regjistroheshin si të tillë.

Organizata tjetër që kërkon konfirmimin për deklarimin si grek drejtohet nga një person i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, sepse dhunoi varret e shqiptarëve për të lehtësuar homazhet në varrin e një greku. Meçollari thekson gjithashtu se nga ana e anketuesve që janë shpërndarë në terren këto ditë nuk janë paraqitur zyrtarisht këto pretendime të disa qytetarëve korçarë për fotokopjim të dokumentit të deklarimit të kombësisë. Por pikërisht nga ana e anketuesve kanë dalë informacionet për kërkesa të tilla. “Në rast se vijnë qëndrime të tilla që ndeshin anketuesit, procesi parashikon që ato të verifikohen nga supervizori e kontrollori, e pastaj edhe nga mbikëqyrësi”, sqaron Meçollari, sipas të cilit është ende herët të deklarohet zyrtarisht se ka një tendencë të tillë të procesit në qytetin e Korçës. Ai shtoi se edhe në Komunën e Liqenasit, e banuar tërësisht nga një popullsi prej afro 5 mijë frymësh të minoritetit maqedonas, procesi ka filluar normalisht. Ndryshe nga sa kishte paralajmëruar kreu i kësaj komune për bojkotim apo refuzim të vetëdeklarimit, banorët nuk i janë shmangur procesit. Mësohet se në qytetin e Korçës ka pasur raste të refuzimit të plotësimit të formularit në pjesën ku deklarohet kombësia dhe feja. Ndonëse këto kërkesa kanë qenë në një numër të kufizuar, ato kanë qenë shqetësimi i vetëm që kanë ngritur anketuesit nga puna e tyre në kontaktet me banorë të Korçës në dy ditët e para të regjistrimit. Ka të dhëna ende të rezervuara, se persona të veçantë apo edhe pjesëtarë të një familjeje, në ditët e para të regjistrimit kanë deklaruar kombësinë greke dhe njëkohësisht kanë kërkuar edhe një kopje të dokumentit. Mësohet se drejtues nga zyra qendrore e INSTAT-it do të shkojnë në Korçë për t’u njohur me problemin e hasur.

 

Aleanca Kuqezi: Abuzime gjatë censusit

Aleanca Kuqezi deklaron se ka prova dhe fakte të abuzimeve gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë.

Aleanca bën me dije se po ndjek me shqetësim të thellë procesin e regjistrimit dhe përmend rastin e plotësimit të formularëve në fshatin Shëngjergj  të Korcës, ku banorët me emra myslimanë po vetëdeklarohen me kombësi Greke.

Po ashtu Aleanca thekson se ka të dhëna se shumë anketues po përdorin lapsin në plotësimin e formularit duke lënë hapësira për abuzim dhe ndryshime të të dhënave.

“Shumë qytetarë po fotokopjojnë formularin e regjistrimit për ta përdorur si dokument në Konsullatën Greke. Përfaqësues të Ambasadës Maqedonase u kanë kërkuar qytetarëve në zonën e Gollobordës të deklarohen me kombësi maqedonase. Gjithashtu, kanë kërkuar përzgjedhjen e disa regjistruesve në këto zona. Me mijëra militantë partiak janë kontraktuar si regjistrues duke kontrolluar politikisht këtë proces e duke u shpërblyer me mundësi punësimi nga ana tjetër. Shumë prej të punësuarëve si anketues nuk kanë kualifikimin e duhur arsimor për të qenë pjesë e këtij procesi, sipas parametrave të  kërkuar nga BE”, thuhet në deklaratë.

Aleanca thekson se regjistrimi është një proces antikushtetues dhe i pambështetur në asnjë dispozitë të legjislacionit shqiptar.

 

Top Channel